Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot përmes një konference për media, ka treguar për propozimet e tyre si ministri lidhur me shtrenjtimin e rrymës, komente këto që tashmë i ka dërguar tek Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Sipas Muratit, barra duhet t’u shpërndahet edhe bizneseve dhe struktura tarifore duhet të mos nisë me 600kWh, pasi thotë se propozimi aktual i ZRRE-së është shpërndarje e padrejtë e barrës.
Propozimet e Ministrisë së Financave, si komente për ZRRE-në, janë dy: e para është që të ngritet pragu i bllokut të parë në 1 mijë kWH, 500 kWh për Tarifën e Ultë dhe 500 kwh për Tarifën e Lartë.
“Për t’u siguruar se struktura e re tarifore për amvisëritë nuk rezulton në kosto të papëerballueshme për shumicën e familjeve, propozojmë që tarifat e bllokut të dytë të fillojnë tek pasi të jenë konsumuar 1,000 kWh, konkretisht 500 kWh me tarifën e lartë dhe 500 kWh me tarifën e lirë”, koment ky që ka qenë propozim i MFPT’së, deklaroi Murati.
Ndërsa, propozimi tjetër ka qenë që barra të shpërndahet edhe tek bizneset, e jo vetëm tek amvisëritë, përcjell Buletini Ekonomik.
“Në këtë frymë, nëse do të aplikohej barra e njëjtë sikurse për amivërsitë, proporcionalisht me tarifat ekzistuese, atëherë do të duhej që me tarifat e reja për bizneset të gjeneroheshine edhe rreth 17 milionë euro shtesë, mbi tarifat aktuale. Tarifat e reja do të duhej të zvogëlojnë dallimet në mes të kategorive të bizneseve, të cila aktualisht janë tejet të mëdha nëse krahasojmë ta zëmë tarifat për 0/4 kWh Kategorinë 1 (bizneset e vogla me 10.71 centë/kWh) dhe Kategorinë 2 (supermarketet me e6.69 centë/ kWh), ku dallimi shkon deri në 60 përqind”, thuhet në letrën e ministrisë drejtuar ZRRE’së.
Sipas kësaj ministrie, në të dyja rastet, subvencionimi i zotuar i Qeverisë prej 75 milionë euro do të mjaftonte për të mbuluar hendekun e mbetur pas përshtatjeve sipas propozimeve që kanë paraqitur.
Ministri Murati tha gjithashtu se propozimet që ata i kanë paraqitur për ZRRE-në, janë konkrete dhe të sakta edhe sa i përket raportit të të hyrave maksimale të lejuara, që siç thotë ai, deri më tani kanë identifikuar diku 21 milionë euro kursime, në të cilat do të mund të zvogëlohej hendeku.
Sipas Muratit, kjo ka të bëjë me supozimin se për shkak të masave që do t’i kenë si Qeveri për kursimin e energjisë elektrike, mund të supozohet që një pjesë e konsumit mund të zvogëlohet. Ky zovogëlim i konsumit të amvisërive mund të ulet për vetëm 5 për qind për muajt: shkurt, mars, prill dhe për muajt nëntor dhe dhjetor, që rezulton me më pak import prej 18 milionë euro, vlerëson tutje ai.
“Kemi identifiku gjithashtu edhe një mbivlerësim sa i përket të hyrave për të mbuluar hymbjet e lejuara, ku norma e humbjeve të lejuara është 15.1 për qind mirëpo ne konsiderojmë që kemi identifikuar se baza e përllogaritjes për 66 gigavatëorë e mbivlerësuar dhe nëse e faturojmë kjo rezulton në një fitim prej 7.9 milionë euro”, ka thënë Murati në konferencë.
Ndryshe, në bazë të propozimit të ZRRE-së, energjia elektrike do të shtrenjtohej për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh energji elektrike, me ç’rast tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj do të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh rrymë në muaj, do të përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës. /Buletini Ekonomik/