Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë qëndrimit të tij në Luksemburg, ka takuar homologen e tij nga ky shtet, ministren e Financave, Yuriku Backes.
Gjatë këtij takimi, ministri Murati theksoi se pas normalizimit të situatës me pandeminë, objektiv kryesor i ministrisë që ai udhëheq, mbeten projektet zhvillimore dhe përmirësimi i ambientit të biznesit për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
Me këtë rast, Murati, përmes ministres Backes, ftoi bizneset e Luksemburgut të shqyrtojnë mundësitë për investime në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me Odën e Biznesit në Luksemburg.
Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për Fondin Sovran, i cili synon të ndihmojë krijimin e një ekonomie të qëndrueshme të bazuar në barazi sociale. Duke marrë parasysh që Luksemburgu ka një përvojë mjaft të suksesesshme në këtë fushë, sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, të dyja palët u pajtuan në ndarjen e praktikave më të mira lidhur me Fondin Sovran.
“Së fundmi, të dy palët ishin të një qëndrimi që të thellohet bashkëpunimi në mes të dy vendeve partnere në fushën e investimeve të huaja direkte dhe shkëmbimeve tregtare”, përfundon njoftimi nga ministria. /Buletini Ekonomik/









