Një nismë e mirë më në fund: Panele solare në deponinë e KEK-ut

Instalimi i paneleve diellore mbi shtëpi

Nisma e KEK-ut për të ndërtuar kapacitete energjetike solare 100 megavatësh, është e favorshme dhe gjithanshëm e mirë, dhe jo vetëm që përkon me momentumin e qëlluar, kur kriza energjetike është shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe në vendin tonë, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet të energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë. Prandaj, me urgjencë duhet përfunduar të gjitha procedurat e kërkuara dhe  të nisë një herë e mirë vendosja e paneleve solare në deponinë e KEK-ut, në tokën djerrë të Kosovës, që tani vie sikur e porositur për këtë dedikim.

Mehmet GJATA

Një nismë e mirë e ndërtimit të kapaciteteve të rinovueshme është bërë e ditur nga drejtori ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili këto ditë në një nga mediet kosovare bëri të ditur se KEK-u planifikon të ndërtojë 100 megavatë kapacitete solare në sipërfaqen e termocentralit Kosova A.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, tashmë nga ana e KEK-ut janë dërguar propozime në Ministrinë e Ekonomisë, ku përveç investimeve për mirëmbajtjen e kapaciteteve ekzistuese, përfshihen edhe projekte për energjinë e ripërtëritshme. Sipas Krasniqit, KEK-u po kërkon të zhvillojë një park solar 100 MW në një nga ish-deponitë e ‘Kosova A’, dhe ai beson se nëse jo i gjithë kapaciteti, gjysma e tij do të jetë gati brenda një viti.

“Qasja jonë është se kemi dërguar propozimet tona, që përvec pjesës së investimeve për mirëmbajtjen e kapacitete ekzistuese,  parashohim të ndërtojmë edhe parqe solare”, ka saktësuar Krasniqi, duke njoftuar se “KEK-u tashmë është në bisedime me KFW-në gjermane që të fillohet projekti 100 megavatësh i energjisë solare në ish-deponinë e Kosova A”.

Sipas Krasniqit, do të përshpejtohen të gjitha punët për ta përmbyllur sa më shpejtë këtë nismë me bindjen dhe besimin që realizimi i këtij projekti, së paku i gjysmës së tij, nuk duhet të zgjatet më shumë se një vjet.

Nëse del të jetë serioze nisma e KEK-ut dhe nëse ka vendosshmëri tek autoritetet e Korporatës sonë elektroenergjetike, më në fund, pas një ngurrimi çuditërisht të gjatë dhe të pakuptueshëm për të qenë më kërkues  nga vendimarrësit për iniciativat për ndërtimin e kapaciteteve të mundshme të energjisë së rinovueshme, po ndodhë diçka, së paku dikush po preokupohet dhe së paku po sheshohen mundësitë për të pasur një kapacitet sa më të madh të energjisë solare në Kosovë.

Dhe, mundësi ka. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin truall i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës.

Por, për të pasur energji të rinovueshme, qoftë nga dielli, qoftë nga era, duhen vizione, nisma dhe vendosmëri. Dhe, tashmë është koha e fundit, s’ka përtej ku të shkojmë më, që Kosova duhet të vendosë për të pasur kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme. Nuk duhet që energjia e rinovueshme të jetë më tabu, as në mjediset energjetike kosovare as te autoritetet, te zyrtarët dhe vendimmarrësit. Sepse, Kosova, sado e varfër që është, me një përkushtim më të gjithanshëm do ta gjente dhe do ta kishte paranë për të nisur projekte energjetike të reja, sosh të imponueshme nga komuniteti botëror energjetik, të restriksioneve të paralajmëruara dhe që kanë zënë të aplikohen për të gjithë ata që përdorin qymyrin si burim energjetik.

Kosova, sado që ka thëngjill të bollshëm dhe rezerva kolosale të këtij resursi, me të cilin sikundër shumë vende të botës, përmbushi nevojat e veta energjetike, tashmë suksesivisht duhet ta braktisë thëngjillin. Për këtë, Kosova obligohet me një varg dokumentesh, rezolutash dhe marrëveshjesh ndërkombëtare. Obligohet edhe me nënshkrimin e  Marrëveshjes së Samitit të Sofjes, dy vjet më parë, kur është zotuar se deri në vitin 2050 do të karbonizohet, apo do të zvogëlojë maksimalisht varësinë nga thëngjilli.

Paralajmërimet më të reja dhe gjithnjë e më të shpeshta për ndalesa shtesë  ndaj përdorimit të qymyrit si burim energjetik, domosdo kanë aktualizuar çështjen e të pasurit më shpejtë dhe më shumë energji elektrike të rinovueshme. Tashmë, për Kosovën është urgjencë zëvendësimi sa më shumë i kapaciteteve tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme. Ndërkohë që tani për tani Kosova ka fare pak, thuaja sasi simbolike të energjisë së ripërtëritshme. Duhet thënë se me gjithë mëdyshjet dhe dilemat në shumë mjedise, edhe në nivel institucionesh, madje edhe  ekspertësh, Kosova ka potenciale për energji të rinovueshme. Madje goxha mundësi të mira.

Prandaj, nisma e KEK-ut është e favorshme dhe gjithanshëm e mirë, jo vetëm që përkon me momentumin e qëlluar, kur kriza energjetike është shpërfaqur me tërë ashpërsinë e vet edhe në vendin tonë, por edhe kur Kosovës i nevojitet një kapacitet të energjisë solare, qoftë edhe për t’i sprovuar potencialet tona për këtë lloj të energjisë.

Prandaj duhet shpejtuar, me urgjencë duhet përfunduar të gjitha procedurat e kërkuara dhe të nisë një herë e mirë së ndërtuari ky kapacitet elektroenergjetik solar në deponinë e KEK-ut, në tokën djerrë të Kosovës, që tani vie sikur e porositur për këtë dedikim.

Ndërtimi i një Parku të energjisë solare, që mund të finalizohet për një vit, e shumta dy sish, dhe që mund të sigurojë goxha sasi të energjisë, qoftë për ngrohje, qoftë për furnizimin e Kosovës me rrymë, është ogur i mirë edhe për jehonën që do të kishte ky kapacitet në komunitetin energjetik të botës. Askush më nuk mund të mohojë se Kosova po ndërton centrale në bazë të erës dhe të diellit. As nuk mund të kontestojë me retorikën se kosovarët sikur nuk po duan të shkëputen nga thëngjilli që e kanë me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës.

Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës me fuqi 105 megavatësh dhe me 27 turbina, është ndërtuar për dy-tre vjet e shumta, dhe me një kosto diku 180 milionë euro, që do të thotë se për të janë investuar diku edhe kaq mjete sa qeveria ka dedikuar për zgjidhjen momentale të krizës, ose për blerjen e përkohëshme të energjisë së munguar elektrike.

Ndërkohë, kapaciteti energjetik në bazë të diellit, i inicuar nga KEK-u që të ndërtohet në tokën djerrë (deponinë e madhe sa një kodër e tërë e krijuar nga hiri i qymyrit të djegur në termocentralet tona) me goxha fuqi (100 megavatë, qoftë edhe energji solare nuk është pak), do të ndërtohej ndjeshëm me më pak para se kompleksi i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës. Sepse, dihet që, ndërtimi i centraleve solare kushton goxha më pak sesa i atyre me erë.

Dhe, më në fund kjo nismë le të shërbejë edhe si sprovë për të inicuar projekte të tjera me energji solare. Kosova, mbase nuk i ka kushtet ndër më të mirat në botë për këtë lloj energjie, por ka goxha kondita dhe mundësi reale për të pasur jo pak panele të diellit për të prodhuar rrymë për nevojat e veta.

Sipas ekspertëve, në të gjitha sipërfaqet e kulmeve te objekteve komerciale, komunale dhe private, te cilat kanë orientimin e duhur lindje-perëndim, apo janë të rrafshta, mund të instalohen panele solare. Kosova ka edhe shumë toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim, si hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut. Ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, si dhe hapësirat përgjatë autostradave, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare.

Buletini Ekonomik ka trajtuar në shumë raste deri në detaje mundësitë reale të Kosovës për të prodhuar energji elektrike në bazë të erës dhe të diellit. Por, sot, e motivuar nga iniciativa e KEK-ut, media jonë do të trajtojë edhe më gjerësisht mundësitë që ka Kosova të prodhojë energji nga dielli, pra energji solare.

Kosova e vogël si territor ka pak tokë për të ofruar për ndonjë kapacitet solar të madh dhe të efektshëm për nga sasia për të kontribuar në përmbushjen e nevojave të konsumit dhe tregut tonë energjetik. Sidoqoftë, potencialet për parqe solare janë të mëdha në Kosovë, krahasuar me burimet e tjera të energjisë së rinovueshme.

Ekspertët numërojnë këto mundësi duke filluar nga të gjitha sipërfaqet e kulmeve të objekteve komerciale, komunale dhe private, të cilat kanë orientimin e duhur lindje-perëndim, apo janë të rrafshta.

Teorikisht në çdo sipërfaqe të rrafshët mund të instalohen panelet solare. Por, sipas Gazmend Kabashit, menaxher i Zyrës për Zhvillim dhe Planifikim Afatgjatë në KOSST, një ndër njohësit më të mirë kosovarë të lëmisë së energjisë së rinovueshme, këtu qëndron problemi që çdo hapësirë nuk është e leverdishme të instalohen panele solare (PV). Sipas tij, tokat bujqësore nuk do të duhej të shfrytëzoheshin për parqe solare.

100 MW park solar zënë vend në një tokë rreth 200 hektarë. Nëse krahasohet prodhimi i energjisë që japin këto panele solare me prodhimet bujqësore që s’do të ishin më, e që kushtimisht do të duhej të importoheshin nga jashtë, llogaritë thonë se nuk do të duhej që në toka bujqësore të bëhen instalime të tilla.

Mirëpo, Kabashi duke iu përgjigjur interesimit të Buletinit Ekonomik, për mundësitë e ndërtimit të paneleve solare, ka shpjeguar se Kosova ka toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim. Me këtë rast, ai tregon për hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut.

“Ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare, si dhe hapësirat përgjatë autostradave”, thotë Kabashi.

Dhe këto panele solare, sipas tij, do të kishin kapacitet të vlerësueshëm si prodhues solid, madje i madh i energjisë elektrike. Aktualisht, Qeveria është duke përgatitur ligjin mbi BRE-të dhe këtu do të definohet çdo gjë.

Sidoqoftë, një potencial i madh dhe shumë i rëndësishëm janë instalimet në kulme, konkretizon Gazmend Kabashi. Me këto instalime të mundshme, sipas tij, do të zvogëlohej konsumi dhe rrjedha e fuqisë elektrike në rrjetin transmetues dhe distributiv, që do të thotë do të zvogëloheshin humbjet në rrjet.

Sa i përket parqeve të mëdha, kapacietet ka, por për integrimin e Burimeve të Rinovueshme të Energjisë (BRE-ve) në rrjetin elektrik, shfaqet një problem i madh, e i cili është: variabiliteti i lartë i fuqisë që japin ato dhe pasiguria e madhe në parashikim. Çka do të thotë kjo? Kabashi e ilustron këtë me një shembull: Nëse kemi një Park Solar 100 megavatësh dhe është duke prodhuar me fuqi maksimale, sipas planit. Mirëpo, nëse një re e dendur papritmas rastisë të kalojë mbi këtë park, fuqia bie nga 100 në 10-20 megavatë për disa minuta. Kjo mungesë e fuqisë kushtimisht duhet të sigurohet nga Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë  (KOSTT) dhe kjo ka kosto. Me gjuhën profesioniste, ky veprim quhet rezerva rregulluese, e cila nevojitet ashtu që kërkesa dhe gjenerimi të jenë të balancuara në kohë reale. Ky shërbim kryesisht realizohet nga njësi fleksibile si hidrocentralet e mëdha, TC me gaz, bateritë etj. E Kosova nuk i ka asnjërën nga këto. Aktualisht, Kosova i siguron rezervat rregulluese nga Shqipëria. /Buletini Ekonomik/