El Salvadori është bërë shteti i parë në botë që ka adaptuar Bitcoinin si mjetë pagese të ligjshme, e cila do të funksionojë së bashku me dollarin amerikan.
Presidenti Nayib Bukele njofton se pas pranimit të kësaj kriptovalute, ekonomia e vendit për vitin 2021 është rritur për më shumë se 10 për qind, përcjell Telegrafi.
“PBB-ja e El Salvadorit u rrit 10.3 për qind në vitin 2021. Dhe eksportet (një shtytës kryesor i rritjes ekonomike) u rritën me 13 për qind, gjatë muajit janar krahasuar me janarin e 2021-së”, ka njoftuar Bukele.
Po ashtu, ai në Twitter ka thënë se ka dërguar 52 nisma ligjore në Kongres për të bërë thirrje për heqjen e burokracive, krijimin e kushteve tatimore dhe dhënien e shtetësisë për ata që investojnë ne vend.
Qeveria e Salvadorit shpreson se do të rrisë përfshirjen financiare në një vend ku rreth 70 për qind e qytetarëve nuk kanë qasje në shërbimet tradicionale financiare.
Adoptimi i kësaj kriptovalute lejon që çmimet të shfaqen në Bitcoin, kontributet tatimore të paguhen me këtë kriptovalutë dhe shkëmbimet në Bitcoin nuk do t’i nënshtrohen tatimit mbi fitimet kapitale.
Kujtojmë se Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka bërë thirrje vendit të ndalojë përdorimin e Bitcoinit si mjet ligjor për pagesa, duke përmendur “rreziqet e mëdha” që paraqet kriptovaluta.
Zyrtarët theksuan se ka rreziqe të mëdha që lidhen me përdorimin e Bitcoin për stabilitetin financiar, integritetin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit dhe me emetimin e bonove të mbështetura nga Bitcoini.