Pse nuk po publikohet vendimi i ZRrE’së për shtrenjtimin e rrymës?

Në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë thonë se gjatë kësaj jave të bëhet publik vendimin për tarifat e reja të energjisë. Ky vendim nuk është publikuar ende i plotë nga ZRrE ndonëse kanë kaluar më shumë se një javë nga marrja e vendimit. PSD-ja u ka shkuar edhe në zyrë për t’iu kërkuar llogari pse nuk po e publikojnë atë vendim.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) nuk e ka bërë ende publik vendimin e marrë më 8 shkurt të këtij viti për vendosjen e tarifave të reja të energjisë elektrike, me të cilat, konsumatorët familjarë që shpenzojnë më shumë se 800 kWh energji elektrike në muaj, do të kenë shtrenjtim të rrymës.

Zëdhënësi i ZRrE-së, Petrit Pepaj thotë se është çështje procedurale vonesa e tij dhe se edhe ky vendim duhet të kalojë nëpër disa procedura, si vendimet e tjera.

Reklama e sponzorizuar

“Vendimet e Bordit, pas marrjes së tyre, draftohen dhe revidohen ligjërisht nga departamentet e ZRRE-së dhe bëhen publike pas integrimit të të gjithë komenteve të anëtarëve të Bordit. Ky është proces i rregullt.  ZRRE pret ta publikojë vendimin gjatë kësaj jave”, ka thënë ai për Express.

Sipas avokatit Arbër Jasahri, në rast se një vendim nënshkruhet, u përcillet palëve kompetente dhe i dorëzohet arkivës, ai mund të prodhojë pasoja juridike të menjëhershme.

“Vendimi prodhon efekt juridik edhe në rastin e nënshkrimit. Por disa vendime janë të rregulluar edhe ndryshe. Ky është një vendimi i brendshëm e që nuk besoj se është e detyruar që të publikohet në gazetën zyrtare. Nëse ai është nënshkruar, u është përcjell palëve kompetente që janë pjesë e vendimit dhe në rast se i është dorëzuar arkivës, ashtu siç e parasheh ligji dhe rregullorja, ai mund të prodhojë pasoja juridike edhe nëse nuk është publikuar për opinionin e gjerë. Në rast se me ndonjë rregullore është përcaktuar se pa u publikuar në gazetën zyrtare, ose pa u publikuar në ueb sajtin e ZRrE-së, nuk prodhon pasoja juridike ajo është çështje tjetër”, ka thënë ai.

E për mospublikimin e këtij vendimi, javën e kaluar PSD-ja ua zuri zyret ZRrE-së. Ata kërkuan publikimin e vendimit, pasi sipas tyre në procesin e rritjes së çmimeve ka pasur mungesë të transparencës.

Nga kjo parti iu referuar Ligjit për Proceduren e Përgjithshme Administrative, neni 51, për fillimin dhe përfundimin e pasojave juridike të një akti administrativ. Sipas këtij neni, një akt administrativ fillon të prodhojë pasojat juridike në raport me palën të cilës i drejtohet apo e cila cenohet nga ai, me njoftimin e përmbajtjes së tij.

Ligji Nr. 05/L -031 PËR PROCEDURËN E PËRGJITHSHME ADMINISTRATIVE

Ndryshe, Departamenti për Tarifa në ZRRE ne mbledhjen e shkurtit ka thënë se rritjen e çmimit në fatura do të vërejnë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat për orë brenda muajit.

Fillimisht ky institucion kishte propozuar rritje për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat për orë në muaj, propozim ky që u ndryshua pasi pranuan komente dhe rekomandime nga palët e tjera.

“Të gjithë konsumatorët komercialë dhe konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë do të kenë zero rritje”, është thënë në takim.

Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat për orë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent.

Ndërsa, për bizneset nuk do të ketë blloqe tarifore.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me 9 shkurt dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023.

Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00.

Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.

Muajve të fundit, Kosova është futur në krizë energjetike, si pasojë e krizës së ngjashme që ka përfshirë Evropën.