Mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës për subvencionimin e tarifave të reja të energjisë elektrike janë vetëm për këtë vit. Nëse Qeveria s’ndan mjete të tjera, tre muajt e parë të vitit të ardhshëm qytetarët do të paguajnë vetë gjithë faturën, e që do jetë shumë më shtrenjtë.
Me tarifat e reja, energjia është shtrenjtuar për qytetarët që shpenzojnë mbi 800 kWh rrymë. Për të zbutur ndikimin e kësaj rritje te qytetarët direkt, Qeveria ka ndarë 90 milionë euro.
“Në mbledhjen e sotme është miratuar propozimi i Ministrisë së Ekonomisë për zotimin e Qeverisë për subvencionimin e pagesës së energjisë nga konsumatorët. Sipas vendimit të miratuar, Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar për subvencionim të energjisë në shumën prej 90.000.000.00 € (nëntëdhjetë milionë euro)”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ditë më parë.
Por, mjetet e ndara nga ekzekutivi vlejnë vetëm deri në fund të këtij viti. Në rast se Qeveria e Kosovës s’ndan mjete të tjera, qytetarët do të duhet të paguajnë vetë gjithë faturën në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Këtë e ka thënë në “Pressing” të T7, kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu.
“…edhe gjatë periudhës së verës kemi nevojë për import shtesë, mirëpo importi gjatë verës është shumë më i ulët dhe për këtë arsye kjo bllok-tarifë do të jetë në fuqi deri në mars të vitit 2023. Subvencioni është për vitin 2022. Këto mjete janë nda për subvencionimin e tarifave për vitin 2022”, ka thënë Fejzullahu në T7.
Edhe në sqarimet shtesë rreth subvencionimit që ka kërkuar Gazeta Express nga ZRrE, ky institucion ka konfirmuar se subvencionimi i qeverisë vlen vetëm për këtë vit.
Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në adresë të Zyrës së Kryeministrit, nëse do të ndahen sërish para për subvencionimin e tarifave edhe në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, por deri në momentin e publikimit të tekstit, s’i ka pranuar përgjigjet.
Ndryshe, me tarifat e miratuara, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh do të duhet të paguajnë 5.9 centë për tarifën e ultë dhe 12.52 centë për tarifën e lartë.
Ata që do të shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kWh nuk do të faturohen me çmimin e ri, derisa ata që e kalojnë 800 kWh, me çmimin e ri do t’iu llogaritet vetëm sasia e harxhuar mbi këtë vlerë.
“Tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët jo familjarë, në kuadër të Shërbimit Universal do të mbesin të njëjta si vitin e kaluar. Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kËh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kËh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 cent dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023”, ka njoftuar ZRRE’ja.