Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është më se e nevojshme që të parandalohet tjetërsimi i aseteve jetike në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duke udhëzuar kështu AKP-në, që të mos vendosë në shitje asete që janë identifikuar më parë si asete potenciale, e të cilat do të mund të transferohen në Fondin Sovran, i cili sipas paralajmërimeve të qeveritarëve është në prag të themelimit.
Gjatë mbledhjes u bë plotësim-ndryshimi i vendimit të datës 1 korrik 2020, që ka të bëjë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Sipas Kurtit, funksionalizimi i AKP-së ndër tjerash, ka mundësuar hartimin e planit strategjik që definon qartë prioritetet e AKP-së deri në vitin 2024, përfshirë planifikimin e politikave të mëtutjeshme në harmoni me politikat e Qeverisë lidhur me Fondin Sovran, derisa tanimë koncept-dokumenti për Fondin Sovran është gati e pritet të shqyrtohet shpejt në Këshillin Ekzekutiv për themelim.
“Moratoriumi i deritashëm në kuptimin e shfrytëzimit të aseteve ka qenë i domosdoshëm. Mirëpo, ndërrimi i menaxhmentit e hapat që ka marrë në kuptimin e vizionit të qartë të AKP-së për disa vite të ardhshme, deri në përmbyllje të këtij institucioni, dëshmon gatishmërinë e AKP-së që të veprojë në pajtim me të drejtat e obligimet ligjore që u takojnë”, ka thënë Kurti.
Kurti shtoi tutje se duhet shtuar mundësinë e qiradhënieve të rregullta në kuptim të ruajtjes së vlerës së tyre, kurse duke marrë parasysh nismën për themelimin e Fondit Sovran, është e domosdoshme të parandalohet tjetërsimi i aseteve jetike për utilizimin e tyre me qëllim të interesit shtetëror nëpërmjet Fondit Sovran.
Prandaj, si kreu i Qeverisë, Kurti udhëzoi AKP-në që të mos vendosë në shitje asete që janë identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fond Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit, përcjell Buletini Ekonomik.
“Është miratuar edhe vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.07/09 i datës 01.07.2020, sipas të cilit pikat 2, 3 dhe 4 të Vendimit Nr.07/09 të datës 01.07.2020 shfuqizohen, ndërsa shtohet pika 2 sipas të cilës: “Udhëzohet AKP të mos vendos në shitje asete që janë të identifikuara si potenciale për t’u transferuar në Fondin Sovran, para miratimit të politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran” dhe shtohet pika 3: “Asetet mund të ofrohen për qiradhënie të rregullt, deri në miratimin e politikës së Qeverisë lidhur me themelimin e Fondit Sovran”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ndryshe, AKP-së i është kërkuar që nga viti 2020 që të mos bëjë shpallje të ndonjë asnjë vale të re të privatizimit deri në miratim të Strategjisë për Privatizimin e Ndërmarrjeve Shoqërore, e cila është në procedurë e sipër të hartimit. /Buletini Ekonomik/