Konsumatorëve nuk po iu shfaqet në aplikacionin e-KESCO pjesa ku tregohet se sa energji kanë shpenzuar deri tash, raporton Express.
Në aplikacionin e-kesco, konsumatorët kanë mundur të informohen për energjinë e shpenzuar secilën ditë. Pas vendosjes së tarifave të reja, këtë mundësi nuk e kanë më.
Mosshfaqjen e disa të dhënave, KESCO e ka arsyetuar dje me përditësimet që po bëhen në aplikacion.
“KESCO njofton që është duke punuar në përditësimin e tarifave në aplikacionin e-KESCO, prandaj disa të dhëna nuk mund të shfaqen për momentin”, thuhet në njoftimin e KESCO-s.
Ndryshe, tarifat e reja të energjisë elektrike kanë hyrë në fuqi dje dhe do të jenë të aplikueshme deri më 31 mars të vitit 2023.
Nga ZRRE’ja dhe KEDS-i e kanë konfirmuar për Gazetën Express se me tarifat e reja do të llogaritet vetëm energjia e shpenzuar nga 9 janari e tutje.
Me tarifat e reja, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kWh energji do të përballen me shtrenjtim të energjisë.
Ata do të duhet të paguajnë 5.9 centë për tarifën e ultë dhe 12.52 centë për tarifën e lartë.
Ata që do të shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kWH nuk do të faturohen me çmimin e ri, derisa ata që e kalojnë 800 kWh, me çmimin e ri do t’iu llogaritet vetëm sasia e harxhuar mbi këtë vlerë.
“Tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët jo familjarë, në kuadër të Shërbimit Universal do të mbesin të njëjta si vitin e kaluar. Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kËh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kWh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 cent dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023”, ka njoftuar ZRRE’ja.