Sipas raportit, San Francisko, Londra dhe Pekini ruajnë dominimin e tyre në ekonominë e inovacionit.
Pavarësisht sfidave globale që vijojnë, qytetet me qendrat më të fuqishme të inovacionit dhe me përqendrim të madh talentesh janë më mirë të renditura për suksesin në të ardhmen, sipas një raporti të ri.
Ndërkohë që kompanitë janë në kërkim të zonave për talente, për të hedhur rrënjët e zyrave të tyre, vendet me inovacionin më të mirë dhe me më shumë njerëz të talentuar lënë pas të tjerët për aktivitetet ekonomike dhe krijojnë një fluks kapitali në sektorin e pasurive të patundshme, sipas raportit të fundit të shoqërisë imobiliare, JLL Innovation Geographies.
Raporti, i cili përfshin më shumë se 100 qytete – i fundit daton në vitin 2019 – mat inovacionin dhe potencialin në lidhje me investimet në pronë.
Qytetet më inovative – liderët globalë
Sipas raportit, San Francisko, Londra dhe Pekini ruajnë dominimin në ekonominë e inovacionit. Shtetet e Bashkuara udhëheqin renditjen me thuajse 50% të tregjeve më të rëndësishme në klasifikimin e vitit 2022.
San Jose mbetet qendra kryesore e inovacionit zbulon raporti, kurse Bostoni dhe Nju Jorku vazhdojnë të tërheqin kapital, korporata dhe talente për shkak të afërsisë me universitete me reputacion. Europa dominon për sa u përket talenteve, me 7 nga 15 qytetet më të mira, ndërsa Londra dhe Parisi shquhen si dy aktorë të mëdhenj në përgjithësi në renditjen e vitit 2022.
Në Azi, Singapori mbetet kyç për Investimet e Huaja Direkte (IHD). “Pavarësisht sfidës së varianteve të reja, pronat e patundshme në përdorim duhet të përfitojnë nga zgjerimi i vazhdueshëm ekonomik në vitin 2022” – thotë Carol Hodgson, Global Research Director në JLL.
“Me njerëz të etur për t’u kthyer në zyra, për të udhëtuar dhe për t’u socializuar këtë vit, qytetet e mëdha dhe të pasura me talente si San Francisko, Tokio dhe Londra do të kenë avantazhin për të hapur rrugën për një rimëkëmbje më të fortë – tha ajo. – Kjo gjithashtu tregon shenja optimizmi për tregun e zyrave, pasi realizon një qëllim të ri post-pandemi, si një qendër për inovacionin dhe bashkëpunimin”.
Qytetet më inovative – yjet që po lindin
Seuli dhe Pekini iu bashkuan 25 liderëve të parë për vitin 2022, ndërkohë që Shangai, Berlini dhe Toronto po bëjnë hapa para për t’u shndërruar në qendra të fuqishme talentesh dhe inovacioni.
Në të njëjtën mënyrë, Tel Avivi dhe Berlini po përfshihen me shpejtësi në hartën e inovacionit global, sipas JLL. Qytetet më të vogla amerikane, në mesin e të cilave Austin e Raleigh-Durham, po ngjisin shkallët me specializime si prodhimi i avancuar dhe shkencat e jetës.
Aktorët më të vegjël po regjistrojnë ndryshime të rëndësishme
Sipas të dhënave, qytetet indiane dhe kineze si Bengaluru e Guangzhou po rrisin ekosistemet e inovacionit. Ndër të tjera, vende më të vogla “të pasura me talente” si Denver, Melburni dhe Stokholmi, vijojnë të tërheqin sasi më të mëdha kapitali dhe talenti.
Për t’u krijuar mundësinë Sipërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme të rriten, të inovojnë dhe të mbështesin ekonomitë globale, rajonale, lokale, raporti “Future Readiness of SMEs: Mobilizing the SME Sector to Drive Widespread Sustainability and Prosperity” i World Economic Forum nxjerr një pah një seri praktikash të mira për të mbështetur SME-të dhe për t’i udhëhequr. /World Economic Forum/