Rizvanolli: 200 milionë dollarët nga MCC-ja do të shkojnë në projektin e akumulimit të energjisë dhe trajnim të fuqisë punëtore

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se dje kanë mbajtur punëtorinë e parë për dizajnimin e programit kompakt me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Kosova muaj më parë ka përfituar një fond prej 200 milionë dollarësh pikërisht nga MCC-ja, i cili sipas paralajmërimeve të ministrisë do të përdoret për zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit energjetik në Kosovë, përcjell Buletini Ekonomik.

Konkretisht, këto mjete pritet të shkojnë në projektin për akumulimin e energjisë në vend.

Reklama e sponzorizuar

Rizvanolli, përmes një njoftimi në faqen zyrtare të saj në facebook, ka thënë se punëtoria e mbajtur dje, ka për qëllim dizajnimin e detajuar të programit të kompaktit të MCC-së, nga i cili Kosova përfiton deri në 200 milionë dollarë për zhvillim të sektorit të energjisë, dhe sipas saj të njëjtat do të përdoren veçanërisht për akumulimin e energjisë dhe për trajnim të fuqisë punëtore, me theks të veçantë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në sektorin energjetik.

“Prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës është investimi në projekte për stabilizim të sistemit të energjisë, siç është projekti për akumulim të energjisë”, ka shkruar ajo.

Sipas ministres, qëllimi i Qeverisë, përmes këtij projekti, është të garantohet që sistemi i energjisë të jetë i qëndrueshëm, të mundësojë përfshirjen e burimeve të ripërtërishme të energjisë, si dhe rritjen e dukshme të pjesëmarrjes së grave në këtë sektor.

Tutje, në këtë punëtori kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. /Buletini Ekonomik/