Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka publikuar opinione kundër Bosnes dhe Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi të njëjtat kanë dështuar të përmbushin objektivat për zvogëlim të emetimeve për vitet raportuese 2018 dhe 2019, sipas përkufizimeve të Planit Kombëtar për Zvogëlim të Emetimeve (NERP).
NERP-të janë instrumente që ndihmojnë në zvogëlimin e emetimeve të dioksidit të squfurit, oksideve të azotit dhe emetimeve të pluhurit. Ato ndihmojnë në përmbushjen e kërkesave që dalin nga Direktiva e BE-së për Impiantet me Djegie të Lartë.
Ndryshe, zbatimi i këtyre rregullave është kyç për zvogëlimin e ndotjes së ajrit nga sektori i energjisë, ndër burimet më të mëdha të ndotjes në rajonet e palëve kontraktuese, thuhet në komunikatën e Sekretariatit, raporton Kosovo.Energy.
Sipas Sekretariatit, Maqedonia e Veriut ka dështuar të arrijë të zvogëlojë emetimet e dioksidit të squfurit dhe pluhurit brenda kufirit të lejuar, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova nuk kanë arritur të zvogëlojnë emetimet për asnjërin ndotës.
Sipas rregullave, Palët Kontraktuese, duke përfshirë edhe Kosovën, kanë dy muaj kohë për të reaguar ndaj pretendimeve të Sekretariatit, para se të njejtat të kalojnë për diskutim në Këshillin Ministror, raporton Kosovo.Energy.