Është folur shumë për “Dorëheqjen e Madhe”, për punonjësit që po largohen nga punët aktuale për të gjetur mundësi të tjera me paga më të larta dhe paketa më të mira përfitimesh.
Megjithëse kjo mund të jetë e vërtetë, punonjësit në kohët e sotme po vendosin si prioritet diçka tjetër, edhe më të vlefshme: ekuilibrin punë-jetë.
Në raportin e publikuar së fundmi për Trendet Globale të Talenteve 2022 mbi rikonceptimin e kulturës së kompanive, LinkedIn zbuloi se kompanitë që nuk e marrin seriozisht fleksibilitetin dhe mirëqenien e punonjësve nuk do të përmbushin pritshmëritë e profesionistëve të sotëm – dhe për këtë arsye, mund t’i humbasin ata.
Pandemia ka bërë që punonjësit të rimendojnë prioritetet dhe marrëdhëniet me punëdhënësit. Në krye të listës së dëshirave janë mundësitë e punës fleksibël dhe më shumë ekuilibër punë-jetë, duke zgjedhur të punojnë për kompanitë që e vlerësojnë mirëqenien fizike dhe emocionale. Po nëse kompania e tyre aktuale nuk e bën këtë? Punonjësit janë gati të largohen.
Si rezultat, kompanitë po konsiderojnë mundësitë për të bërë që kultura e tyre të jetë në përputhje me dëshirat e punonjësve. Studimi zbuloi se për të tërhequr, për të mbajtur dhe për të rritur talentet e mëdha, kompanitë duhet të rregullojnë – ose të ndryshojnë tërësisht – kulturën e tyre, në mënyrë që të përmbushin pritshmërinë e profesionistëve që duan të shihen pikë së pari si qenie njerëzore.
Bazuar te të dhënat e grumbulluara nga miliarda veprime të ndërmarra në këtë platformë, te miliona anketa për angazhimin e punonjësve dhe te studimet e rasteve të disa prej kompanive më të suksesshme sot, raporti citon tre fusha që nxisin rikonceptimin e kulturës së kompanisë.
- Fleksibiliteti
Në botën e punës sot, nuk ka më një zgjidhje të vetme për të gjitha situatat; punonjësit duan elasticitet në lidhje me ku, kur dhe si punojnë. Për shembull, në vend që treguesi i performancës të jenë orët e qëndrimit në zyrë, ata po kërkojnë kompani që fokusohen te rezultatet.
Elasticiteti po bëhet një vlerë kryesore për punëdhënësit, pasi u vu re se aktiviteti në lidhje me një postim njoftim pune rritej me 35% kur te njoftimi i kompanisë përmendej termi “fleksibilitet”. Raporti citon gjithashtu një rritje prej 83% në njoftimet e punës që përmendin elasticitetin dhe një shifër befasuese prej 343% më shumë përmendje të fleksibilitetit në njoftimet e kompanive që nga viti 2019.
Ata punëdhënës që ofrojnë mundësi të barabarta për çdo punonjës, pavarësisht se ku apo kur punojnë ata, si dhe që arrijnë të ndërtojnë kultura të forta dhe të qëndrueshme, do të kenë sukses në ruajtjen dhe tërheqjen e talenteve më të mira.
Raporti zbuloi se kur punonjësit janë të kënaqur me elasticitetin që ofron kompania e tyre në lidhje me kohën kur punojnë dhe vendin nga punojnë, ata kanë 2,6 herë më shumë gjasa të raportojnë se janë të lumtur dhe ka 2,1 herë më shumë mundësi që ta rekomandojnë kompaninë e tyre.
- Mirëqenia
Punonjësit po largohen nga kompanitë që promovojnë kulturën e kaosit, duke shkuar te kompani që ofrojnë mirëqenie në të gjitha aspektet.
Punonjësit favorizojnë një kulturë me në qendër njeriun, e cila bazohet te kujdesi, mirëkuptimi dhe besimi. Raporti zbuloi se nëse punonjësit ndihen se kanë përkujdesje në vendin e punës, ata kanë 3.2 herë më shumë gjasa të jenë të lumtur dhe 3.7 herë më shumë mundësi që ta rekomandojnë kompaninë e tyre.
Kompanitë që promovojnë mirëqenien kanë një avantazh të veçantë. Studimi zbuloi se gratë, në veçanti, kishin më shumë gjasa të fokusoheshin te mirëqenia e kompanisë, duke treguar se ato kishin 41% më shumë mundësi të merrnin në konsideratë njoftimet e kompanive që ofrojnë “mirëqenie”, krahasuar me postimet e tjera. Për më tepër, që nga viti 2019, ka pasur një rritje prej 147% në numrin e vendeve të punës që përmendin mirëqenien dhe një rritje prej 73% në njoftimet e kompanive që lidhen me mirëqenien.
- “Riorganizimi i Madh”
Pandemia ka sjellë një ndryshim të madh të asaj që ka më shumë rëndësi për njerëzit, duke pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në tregun e punës. Raporti e quan këtë fenomen “Riorganizimi i Madh”. Kjo ka bërë që kompanitë të rimendojnë vlerat dhe kulturën e tyre, në një kohë kur punonjësit kërkojnë fleksibilitet, një kulturë përkujdesjeje dhe ekuilibër mes punës dhe jetës – edhe nëse për këtë do të duhej të largoheshin nga punëdhënësi i tyre aktual.
Për punëdhënësit, ekziston një direktivë e qartë për t’i dhënë përparësi, për të rinovuar dhe për të promovuar kulturën e tyre. Kur një postim pune përmendte edhe kulturën e kompanisë, raporti zbuloi një rritje prej 67% në interesimin e punëkërkuesve. Në të vërtetë, raporti thekson se kultura e përkujdesjes është bërë një pasuri kryesore për kompanitë në mbarë botën, të cilat duan të fitojnë betejën e re për tërheqjen e talenteve. / Forbes