Shqiptarët e përvuajtur edhe nga varfëria energjetike

Mehmet Gjata

Nuk është zgjidhje për varfërinë energjetike, ndërhyrja me ndonjë ndihmë simbolike nga shteti për të varfërit e tij, sikundër që nuk është zgjidhje për krizën energjetike rivendosja e bllok-tarifave që praktikisht me gjithë variacionet e propozuara nga shumë dikastere qeveritare, madje edhe nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës, që do të thotë shkurt e shqip dy e trefishim i ngritjes së çmimit të rrymës për kosovarët e varfër energjetikisht. Nuk është zgjidhje, në asnjë mënyrë, as, zotimi i Qeverisë se do të ndajë 75 milionë euro për ta zbutur sadopak efektin e krizës energjetike te konsumatorët, gjegjësisht pasojat e ngritjes së çmimit të paralajmëruar të rrymës.

Mehmet GJATA

Shqiptarët janë të varfër edhe këtej edhe andej kufirit. Fatkeqësisht, të paktën 37% e shqiptarëve vuajnë edhe nga varfëria energjetike, shumë më lartë se mesatarja evropiane prej 5%, sipas një studimi nga DOOR dhe EIHP, ku trajtohet varfëria energjetike në vendet që janë anëtare të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Reklama e sponzorizuar

Sipas EurActiv, mungesa e ngrohjes i shtyn familjet e varfra të përdorin dru për të ngrohur shtëpitë, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e tyre. Në mesin e nëntë vendeve te marra në shqyrtim nga raporti, Kosova ka pjesën më të madhe të familjeve që jetojnë në varfëri energjetike me 40%. Në vend të dytë vjen Shqipëria me 37%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 33%, Serbia me 22% dhe Mali i Zi me 15%, siç kanë transmetuar mediet kosovare.

Varfëria energjetike përkthehet si mungesë e burimeve energjetike të qëndrueshme për ngrohje të ambienteve shtëpiake, ose paaftësi për të ngrohur siç duhet shtëpitë, apo për të përmbushur nevojat e përditshme për energji. Raporti gjithashtu vuri në dukje se familjet e konsideruara në varfëri energjetike nuk marrin mbështetje në plotësimin e nevojave të tyre për energji. Një studim i tjetër zbuloi se pothuajse gjysma e të gjitha familjeve në Ballkanin Perëndimor, përdorin drurin si lëndë të parë për ngrohje, duke ndikuar negativisht në shëndetin e tyre.

Agjencia Evropiane e Mjedisit vlerësoi se ndotja e ajrit shkaktoi më shumë se 30,000 vdekje të parakohshme në vitin 2019 në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pa kaluar as një ditë e plotë nga bërja publike e studimit që flet për varfërinë e madhe energjetike të shqiptarëve këtej dhe andej kufirit, Ministria e Ekonomisë, zonja Artane Rizvanolli, sikur bashkëndjeu për varfërinë energjetike shqiptare, dhe me nguti e bëri publik informacionin se ministria në krye të së cilës është ajo, pra ajo e Ekonomisë, do të punojë intensivisht për themelimin e Fondit për konsumatorët në nevojë, dhe që sipas saj, i njëjti pritet të hyjë në zbatim tek në vitin e ardhshëm. Kjo ngarendje për të plasuar kumtin se me themelimin e Fondit për konsumatorët në nevojë (s’është ndonjë punë e madhe që do të zbatohej tek vitin e ardhshëm) i bie që zyrtarja jonë e lartë “i vuri kapakun varfërisë energjetike), e zgjidhi këtë problem kaq të mprehtë dhe kaq të ndjeshëm dhe tash e tutje kosovarët më nuk do të vuajnë nga varfëria energjetike.

Ndërkohë, problemi mbetet njësoj siç ka qenë dhe larg zgjidhjes së tij. Nuk është zgjidhje për varfërinë energjetike, ndërhyrja me ndonjë ndihmë simbolike nga shteti për të varfërit e tij, sikundër që nuk është zgjidhje për krizën energjetike rivendosja e bllok-tarifave, që praktikisht me gjithë variacionet e propozuara nga shumë dikastere qeveritare, madje edhe nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës, që do të thotë shkurt e shqip dy e trefishim i ngritjes së çmimit të rrymës për kosovarët e varfër energjetikisht.

Nuk është zgjidhje, në asnjë mënyrë, as zotimi i Qeverisë se do të ndajë 75 milionë euro për ta zbutur sadopak efektin e krizës energjetike te konsumatorët, gjegjësisht pasojat e ngritjes së çmimit të paralajmëruar të rrymës.

“Me qëllim të zbutjes së efektit të krizës në tarifat e energjisë elektrike, Qeveria e Republikës së Kosovës është zotuar për alokimin e shumës prej 75 milionë € i cili është reflektuar në një skenar të propozimit të ZRRE-së për tarifat e reja të publikuar më datën 17 Janar 2021, duke marrë për bazë komentet në kuadër të këtij dokumenti”, thuhet në arsyetimin qeveritar rreth zotimit të këtyre parave, që thënë më konkretisht dedikohen për zbutjen e ndikimit të kostove të larta të blerjes së energjisë.

Nuk është zgjidhje në asnjë mënyrë as alokimi i tashmë 10 milionë eurove, nga Qeveria e Kosovës, efekti i të cilave, si dhe i ndryshimeve eventuale në përllogaritje pas pranimit të komenteve nga ZRRE, siç thuhet nga zyrtarët, “pritet që të reflektohet në raportin përfundimtar nga ZRRE”.

Këto janë masa të ngutshme, ad –hoc, që mund ta zgjidhin problemin vetëm për një kohë të shkurtër duke kënaqur vetëm përkohësisht dhe shumë shkurtër kërkesat e pandalshme të furnizuesit dhe të shpërndarësit të rrymës në vendin tonë. Do të shihet dhe do të bindemi shpejt se kërkesat për çmime të reja stratosferike do të pasojnë posa të bëhet ngritja e çmimit që po përgatitet nga ZRRE-ja me komentet dhe propozimet e gjithkujt dhe gjithsecilit, e edhe të Shoqatës së Mullistëve të Kosovës. Këto janë faktet e përsëritura në këto vitet e dështimeve kolosale në energjetikën kosovare.

Ndërkaq, tani është koha e fundit, s’ka përtej ku të shkojmë më, që zgjidhjet e problemit duhet parë te ngritja e kapaciteteve të reja të mundshme. Ato janë centralet e energjisë së rinovueshme (parqet me erë dhe panelet solare) dhe mbase një hidrocentral 200-300 megavatësh në ndonjë nga lumenjtë potencial të Shqipërisë në marrveshje me këtë shtet.

Zgjidhje është edhe ndërtimi i ngrohtoreve në bazë të energjisë së rinovueshme nëpër qytetet e tjera të Kosovës, pos kryeqytetit dhe Gjakovës, që tashmë e kanë bërë këtë zgjidhje të problemit. Këto punë, mund të bëhen edhe veç me paranë tonë, të cilën në vend që ta shpërdorojmë në donacione për KEK-un, KEDS-in dhe KESCO-n të pangopshëm në kërkesat e tyre për t’u falur paranë e kosovarëve të varfër, do t’i dedikonim në ndërtimin e një Parku të energjisë me erë, ose të energjisë solare, që mund të finalizohen, për një vit, e shumta dy sish dhe që mund të sigurojnë goxha sasi të energjisë, qoftë për ngrohje, qoftë për furnizimin e Kosovës me rrymë.

Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës me fuqi 105 megavatësh dhe me 27 turbina, është ndërtuar për dy-tre vjet e shumta, dhe me një kosto diku 180 milionë euro, që do të thotë se për të janë investuar diku edhe kaq mjete sa qeveria ka dedikuar për zgjidhjen momentale të krizës, ose për blerjen e përkohëshme të energjisë së munguar elektrike.

Ndërkohë që Parku i energjisë me erë ka afat të prodhimit së paku 30 vjet. Kjo është llogaria. Të tjerat hesape dalin dhe dëshmohen të gabuara. Qeveria duhet nxituar për të parë dhe për të vendosur se a është i mundshëm rindërtimi i Kosovës A edhe në rrethanat e përkufizimeve të paralajmëruara nga komuniteti botëror energjetik dhe sado që Kosova, me anë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Samitit të Sofjes, dy vjet më parë, është zotuar se deri në vitin 2050 do të karbonizohet, apo do të zvogëlojë maksimalisht varësinë nga thëngjilli. Deri në vitin 2050 janë 28 vjet, prandaj duhet sheshuar deri në detaje, se a ia vlenë dhe a është alternativë goxha e domosdoshme që për këto vite ta kemi prodhimin e rrymës nga Kosova A, e rindërtuar tërësisht dhe e modernizuar maksimalisht për mbrojtjen e ambientit nga ndotja.

Tashmë janë bërë rreth 4-5 muaj kur qeveria u deklarua pro këtij projekti dhe në ndërkohë u heshtën fare debatet për të. Asnjë fjalë më nuk u fol për këtë mundësi, që fare lehtë e goxha shpejtë mund të bëhej veç me paranë tonë, pa kredi dhe hua nga jashtë. Vendimmarrësit kosovarë, pra duhet të mos prajnë në anjë moment së kërkuari që të vazhdojnë të kenë një kapacitet të ri energjetik, qoftë edhe me thëngjill, edhe duke kërkuar me ngulm lëshime nga BE-ja, që ka synim të ditur botërisht që do ta reduktojë në maksimum ndotjen nga termocentralet prej thëngjillit.

Fundja, kur shumë shtete të botës, që po gjejnë mënyra e rrugë për të përdorur akoma thëngjillin si burim energjetik (sipas disa të dhënave, afro gjysma e kapaciteteve energjetike të Gjermanisë është e bazuar në qymyr, Polonia poashtu ka shumë kapacitete akoma në bazë të qymyrit), ndërsa në rajon është e ditur se Kosova prin sa i përket përdorimit të thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike – me 95 për qind. Ajo pasohet nga Serbia me 68 për qind, Bosnje e Hercegovina me 63 për qind, Maqedonia e Veriut me 60 për qind dhe Mali i Zi me 44 për qind.

Ne qymyrin në sasi rekorde dhe karshi shteteve më të pasura me thëngjill, e kemi te dera dhe në sipërfaqe të tokës. Prandaj, mbase është e nevojshme të rezistojmë paksa për të vazhduar eksploatimin e këtij resursi kaq të madh zhvillimor, ose të kërkojmë me vendosshmëri, parreshtur dhe gjithanshëm mbështetje financiare nga institucionet financiare ndërkombëtare, për t’ia filluar një orë e më parë ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike nga era, dielli dhe uji. Ndryshe, nuk do të prajnë krizat energjetike te ne, as kërkesat për para të shumta nga prodhuesi, furnizuesi dhe shpërndarësi i rrymës dhe kushtimisht do të varfërohemi nga dita në ditë edhe energjetikisht.

Gjithsesi, Shqipëria e ka shumë më të lehtë ta tejkalojë krizën energjetike. Kapacitetet e saja, ç’është e vërteta të bazuara thuaja tërësisht në ujë, varen nga të reshurat, por hidrocentralet e shumta të vogla në ndërtim dhe shndërrimi i termocentralit të Vlorës nga mazuti në gaz, domosdo do të ndikojnë në stabilitetin elektroenergjetik shqiptar. E mira do të ishte që të dy shtetet shqiptare ta krijojnë më në fund atë treg të përbashkët energjetik, aq të kërkuar dhe aq të përfolur me të vetmin qëllim valorizimin e resurseve aktuale të energjisë të të dy shteteve dhe të fuqizimit të strukturës së kapaciteteve prodhuese të të dyja vendeve. /Buletini Ekonomik/