Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) u ka bërë thirrje të gjitha organizatave buxhetore publike, që në rastet e raportimeve financiare tek auditimet, të jenë më të kujdesshëm dhe t’i kryejnë korrigjimet e nevojshme të pasqyrave financiare, me qëllim të prezantimit të drejtë dhe të vërtetë të transaksioneve që ata kryejnë.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, që i dedikohet pikërisht organizatave buxhetore, nga ZKA-ja thonë se cilësia e raportimit financiar nga institucionet publike në Kosovë, ka nevojë të theksuar për përmirësim, pasi ka ende shumë dobësi në raportim dhe kontrollim të brendshëm të raporteve.
Sipas ZKA-së, organizatat buxhetore e kanë detyrim ligjor që Pasqyrat Financiare për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2021, t’i përgatisin sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik “Raportimi Financiar sipas Kontabilitetit të bazuar në para të gatshme”.
Po ashtu, ata bëjënë thirrje që këto organizata t’ i përmbushin të gjitha obligimet raportuese që dalin nga Ligji Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, të plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, Ligjin nr. 04/L-116,Ligjin nr. 04/L-194,Ligjin nr. 05/L-063 dhe Ligjin nr. 05/L-007 dhe në përputhje me rregulloren nr. 01/2017 për Raportim Vjetor Financiar nga Organizatat Buxhetore.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) tashmë është në proces të auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2021, dhe deri më tani ka pranuar Pasqyrat Financiare të 88 organizatave buxhetore.
Sipas njoftimit të ZKA-së, procesi i rishikimit të PVF-ve, ka treguar se ka gabime materiale: në 12 ministri, 31 komuna dhe në 7 institucione të pavarura, kurse gabimet e identifikuara kryesisht kanë të bëjnë me nënvlerësimet/mbivlerësimet e të dhënave tek: Pasqyra e pranimeve dhe pagesave në para të gatshme, Raporti i ekzekutimit të buxhetit, si dhe Shpalosjet/ Shënimet shpjeguese në PVF.
Ata shtojnë se në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, ZKA-ja ka objektiv që nëpërmjet procesit auditues të Pasqyrave Financiare të ofroëj siguri të arsyeshme nëse ato si tërësi nuk përmbajnë keq-deklarime materiale, qoftë për shkak të mashtrimit ose gabimit, si dhe të hartojë një raport të auditimit që përfshin opinionin e Auditorit të Përgjithshëm.
ZKA rithekson se kontrollet e brendshme të Organizatave Buxhetore në hartimin e Pasqyrave Vjetore Financiare, janë ende të dobëta, përkundër faktit se vit pas viti ata jepin rekomandime dhe këshilla rreth prezantimit të drejtë dhe të vërtetë të transaksioneve financiare, duke iu drejtuar Kuvendit të Kosovës, Ministrisë së Financave dhe publikut të gjerë.
“Me këtë rast Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, fton zyrtarët kryesor financiar të organizatave buxhetore që t’i kryejnë korrigjimet e nevojshme të pasqyrave financiare me qëllim të prezantimit të drejtë dhe të vërtetë të transaksioneve për vitin 2021. Po ashtu, znj. Spanca fton kryesuesit e institucioneve publike që t’i shtojnë kontrollet e brendshme dhe t’i mbajnë llogaridhënës personat përgjegjës në zinxhirin e raportimit financiar”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, nga kjo zyre i kanë bërë thirrje edhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që që t’i rishikojë arsyet e cilësisë së dobët të raportimit financiar dhe nëse është e nevojshme të ofrojë edhe trajnime përkatëse për zyrtarët kryesor financiar. /Buletini Ekonomik/