Në katër mujorin e fundin, afër 200 mijë qytetarë kanë aplikuar për tu paisur me vizë gjermane, apo përkthyer ndryshe, 11 për qind e popullësisë kanë shprehur gadishmërinë për tu larguar nga Kosova.
Që nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar e deri tani në fund të marsit, ambasada gjermane në Prishtinë ka pranuar 199 mijë e 783 kërkesa për viza.
Vetëm këtë muaj janë dorëzuar 48 mijë e 44 kërkesa. Rreth dy mijë më pak ishin në muajin shkurt.
Megjithatë, kjo ambasadë ofron vetëm 500 deri në 800 termine në muaj, një proces që bëhet përmes shortit, duke ofruar kështu 5 mijë e 500 viza në vit, njofton Klan Kosova.
Privilegji i kosovarëve në tregun e punës, e ka bërë Gjermaninë destinacionin më të synuar për ta, duke lënë dukshëm prapa shtetet e tjera.
Ambasada e Zvicrës, gjatë muajve nëntor-janar, ka pranuar gjithsej tetë mijë e 737 aplikime për viza.
Ndërsa për Kroaci në periudhën nëntor-mars, kanë aplikuar një mijë e 944 persona.
Sipas këtyre llogaritjeve, nëse vazhdon ky trend i kërkesës për tu larguar, vetëm për një vit, nga Kosova do të donin të dilnin një e treta e qytetarëve. /Nacionale/