AKP-ja aprovoi dhënien në shfrytëzim të 33 pronave, rrit çmimet ofertuese

Agjencia Kosovare e Privatizimit-AKP

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dje ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku u morën një sërë vendimesh rreth procesit të privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në vend.

Një prej vendimeve kryesore që u miratua në këtë mbledhje Bordi, ishte dhënia me qira të 33 pronave, pas shqyrtimit të çmimeve  të ofruara përmes ofertimit nga qiradhënia e aseteve (likuidim) përmes rishpalljes publike. AKP-ja vlerëson se janë arritur rezultate më të mira përsa i përket çmimeve të ofruara krahasuar me shpalljen e mëparshme si rezultat i një marketingu më të zgjeruar të ndërmarrë nga vet Agjencia.

Ndërkaq, u refuzuan ofertat e pranuara për 15 asete tjera, për shkak të ofertave me çmime të ulëta, që sipas AKP-së,  do të ritenderohen në të ardhmen njëjtë sikur edhe 20 asete për të cilat nuk pati oferta.

Reklama e sponzorizuar

Bordi aprovoi raportet e shpërndarjeve të pjesshme edhe për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore: NSh IAC “Bujqësia”, Pejë; NSh N.Sh.T Autoshtëpia “Mustafë Rexhepi”, Ferizaj; NSh NHTT “Pashtriku”, Gjakovë; NSh Ratko Mitroviç-Kulla”, Prishtinë, për NSh KB “Fryti”, Lipjan dhe për ndërmarrjen shoqërore “Fapoli”, në Podujevë.

Në këtë mbledhje u miratua gjithashtu edhe Rregullorja për Rregullat e Përgjithshme të Tenderit dhe Procedurave të Shitjes me Tender Publik, si dhe u ratifikua vendimi emergjent i Bordit, i datës 15 shkurt të këtij viti për konstituimin e Bordit të përkohshëm menaxhues të ndërmarrjes Agrokosova Holding, përcjell Buletini Ekonomik.

Gjatë kësaj mbledhjeje, menaxhmenti i AKP-së raportoi para Bordit për aktivitetet e fundit të AKP-së, si dhe raportoi për pasqyrat financiare të buxhetit vjetor të Agjencisë për vitin kalendarik 2021 dhe pasqyrat financiare të fondeve në mirëbesim të Agjencisë për vitin kalendarik 2021.

Me këtë rast, AKP-ja miratoi edhe listat përfundimtare të punëtorëve për 20 përqindëshin e të ardhurave nga shitja, transferimi ose likuidimi për ndërmarrjet shoqërore në vijim: NSh “Fapol”, në Podujevë, NSh “Apiko”, në Deçan, NSh “Ekonomia e Pyjeve”, në Prishtinë, pastaj për ndërmarrjen NSh KB “Pirana” në Prizren dhe për ndërmarrjen shoqërore “Stacioni i Veterinës”, në Rahovec. Pas kësaj, Bordi menjëherë miratoi edhe shpërndarjen e pjesës 20% të të ardhurave nga shitja, transferimi ose likuidimi për listat përfundimtare të punëtorëve (që kanë punëtorë të miratuar) për ndërmarrjet e lartëcekura.

“Bordi e autorizoi menaxhmentin që sipas procedurave ligjore në fuqi të bëjë shpërndarjen e mjeteve nga 20 % për këto ndërmarrje”, thuhet në një komunikatë për media nga AKP.

Në këtë mbledhje, Bordi u njoftua edhe për propozimin e raportit përfundimtar (i mbylljes) për ndërmarrjen shoqërore “Kluz”, në Prishtinë. /Buletini Ekonomik/