Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se synojnë që gjatë dekadës së ardhshme, qarkullimi i mallrave ndërkombëtare, nga dhe për në Kosovë, të bëhet përmes transportit hekurudhor.
Këtë deklarim ai e bëri gjatë publikimit të raportit “Transporti rrugor ndërkombëtar i mallrave” në Kosovë, organizuar nga Oda Ekonomike Gjermane-Kosovare (OEGjK), raporton Ekonomia Online.
“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të punojë seriozisht që infrastruktura e vendit dhe qarkullimi i mallrave të jetë sa më i lirshëm. Edhe ne planifikojmë që gjatë dekadës që vjen të kalojmë në transportin hekurudhor”, ka thënë Aliu.
Sipas tij, kompanitë e transportit hasin në probleme dhe se kërkesat janë të përditshme.
“Po besoj qe do të kemi situata të mira dhe shumë prej këtyre problemeve do të shmangen me marrëveshje bilaterale. Ne po bëjmë përpjekje që të krijojmë marrëveshje me Maqedoninë e Veriut, por nuk ndodhi kjo. Edhe në raport me Turqinë po besoj që do të shohim një marrëveshje në letër”.
“Sa i përket bilancit tregtar, është shkaktari kryesor që e shkakton këtë dëm. Përderisa në raport me Shqipërinë, autostrada e ka ndryshuar transportin dhe nëse infrastruktura e Kosovës përmirësohet, atëherë porti i Durrësit do të jetë për transport”, ka thënë Aliu.
Ai tha se Kosova është si pozicion është në qendër të regjionit me autostradat dhe korridoret hekurudhore dhe rrjedhimisht kompanitë e transportit do ta kenë më të lehtë.
Besmir Çmega, udhëheqës i Transportit dhe Logjistikës, ka thënë se çështje e rëndësishme është ligji mbi transportin e mallrave.
“Për politikë fiskale kish qenë mirë të ardhmen me e liru”.
Tek qendrat e regjistrimit të automjeteve të transportit ka thënë se për veturat personale kanë afat 15 dit për regjistrim dhe fitim të bonuseve ndërsa kamionët jo.
“Ky sektor ka mjaft mundësi por neve na duhet përkrahje. Deri vonë Ministria nuk ka qenë bashkëpunues”.
Naim Huruglica ka thënë se qëllimi i studimit ka pasur të bëjë me një analizë të dhënave dhe me kompanitë transportuese.