ATK do të fillojë mbledhjen e tatimeve për përdoruesit e Tik-Tok-ut në Kosovë

Administrata Tatimore e Kosovës

Tik-Tok është ndër aplikacionet më të shkarkuara gjatë 2021-s, dhe radhitet në vendin e parë në SHBA me 94 milionë shkarkime nga përdoruesit e telefonëve.

Rritja e interesimit të përdoruesve për të qenë aktiv në “Tik-Tok” ka të bëjë edhe me pagesat që ky aplikacion iu bën përdoruesve që kanë aktivitet të madh.

Përdoruesit e Tik-Tok-ut kanë mundësinë që të organizojnë paraqitje “LIVE” me përdorues të tjerë të “famshëm” të këtij aplikacioni.

Reklama e sponzorizuar

Aty shikuesit dërgojnë para në formë të dhuratave ose që njihen ndryshe në gjuhën angleze si “gifts”.

Përfitimet e mëdha financiare nuk kanë munguar as për përdoruesit e “Tik-Tok”-ut në Kosovë.

Ata kanë shfrytëzuar “famën” e tyre në këtë aplikacion, po përfitojnë mijëra euro brenda një kohe të shkurtë.

E këto përfitime, si duket po kalojnë pa u vërejtur nga Administrata Tatimore e Kosovës, duke mos paguar asnjë tatim ndaj shtetit.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, ka thënë se vegla analitike për analizimin e rrjeteve sociale, nuk ju ofron mundësinë e analizimit të aplikacionit “Tik-Tok”.

Ajo thotë se ky institucion nuk ka mundësi kontrolli edhe për përfitimet e përdoruesve të saj në Kosovë.

“Vegla analitike për analizimin e rrjeteve sociale MKCVI për të cilën kemi rinovuar licencën na ofron mundësinë e analizimit të rrjeteve sociale, por jo edhe të ‘Tik-Tok’-ut”, tha ajo.

Sipas saj, grumbullimi dhe analizimi i informatave dhe përfituesve nga ky rrjet social mund të bëhet vetëm për raste individuale dhe atë në bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës Financiare.

Në këtë njësi, subjektet raportuese janë të obliguara që të raportojnë të hyrat nga jashtë”, thuhet në përgjigjen e Bytyqit për lajmi.net.

ATK-ja ka bërë të ditur se në plan për këtë vit, ka koordinimin e mënyrës dhe mundësinë e identifikimit dhe pastaj edhe të trajtimit të përfituesve financiar nga rrjetet sociale ku përfshihet edhe Tik-Tok-u.

Më shumë:

ATK shpjegon procedurën e mbylljes së bizneseve