ATK pritet të lansojë pesë projekte që synojnë rritjen e përmbushjes tatimore

Administrata Tatimore e Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se gjatë vitit 2022, ky institucion pritet t’i lansojë 5 projekte të reja, që synonjnë rritjen e përmbushjeve tatimore.

Sipas një njoftimi për media nga ATK, këto projekte do të trajtojnë segmente të caktuara, ku sipas Planit vjetor të punës dhe Planit të Trajtimit të Rreziqeve, janë fusha të cilat paraqesin hendek tatimor, përcjell Buletini Ekonomik.

Nga ATK-ja thonë se me synim të përmirësimit të përmbushjes tatimore, këta sektorë do të trajtohen përmes këtyre projekteve:

Reklama e sponzorizuar
  1. Projekti “Ndërtimtari” (në vazhdimësi nga viti 2019),
  2. Projekti “Punësimi joformal apo punës së padeklaruar” (në vazhdimësi nga viti 2021),
  3. Projekti “Akomodimi dhe Shërbimi Ushqimor”,
  4. Projekti “Mos-deklaruesit”, dhe
  5. Projekti “Mungesa në stoqe & malli pa origjinë – Tregtia me shumicë”.

Në bazë të këtij njoftimi, nga ATK thonë se qëllimi i realizimit të këtyre projekteve është rritja e përmbushjes tatimore, edukimi tatimor i bizneseve për obligimet që kanë ndaj ATK-së, rritja e komunikimit me tatimpagues, si dhe luftimi dhe zvogëlimi i informalitetit.

“Implementimi i projekteve të lartëcekura kërkon shtrirjen e bashkëpunimit edhe me institucionet tjera, të cilat kanë në fokus këto veprimtari , me qëllim të intensifikimit të këtij bashkëpunimi, gjithnjë për te garantuar zbatimin e ligjshmërisë dhe cilësi në rezultate”, përfundon komunikata. /Buletini Ekonomik/