10.9 milionë euro është profiti neto i bankave në Kosovë vetëm gjatë muajit janar të këtij viti.
Nga gjithsej 27.9 milionë euro të hyra në këtë sektor, 20.2 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi i lartë në kredi gjatë kësaj periudhe, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas informatave mujore për sektorin bankar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), krahas të hyrave prej mbi 27 milionëve, 17 milionë kishin shkuar për shpenzime, prej të cilave vetëm 2 milionë për shpenzime të interesit dhe 9.7 për shpenzime të përgjithshme dhe administrative, që së bashku llogariten diku mbi 11 milionë, por jo 17 milionë.
Normat efektive të interesit në këtë muaj u sillën në 5.7 për qind në përgjithësi, duke përfshirë në të njëjtën përqindje edhe kreditë familjare, kurse për ato konsumuese ishin 6.5 për qind dhe për korporatat jo financiare 5.8 për qind.
Gjithsej depozitat në këtë sektor, në janar arritën në 4 miliardë e 823 milionë euro, prej të cilave 3 miliardë e 380 milionë ishin depozita të ekonomive familjare kurse tjerat depozita nga korporatat financiare dhe jofinanciare.
Ndërkohë, kreditë në këtë sektor arritën vlerën e 3 miliardë e 741 milionë eurove, ku 1 miliardë e 407.3 milionë ishin për ekonomitë familjare kurse 2 miliardë e 321 milionë për korporatat jo financiare.
E gjithë vlera e aseteve të sektorit bankar në Kosovë në këtë fillimvit ishte 5 miliardë e 862.2 milionë euro.
Kujtojmë se gjatë vitit 2021, fitimi neto i bankave komerciale në vend kishte arritur në 117.5 milionë euro. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/