Bursat europiane fshijnë të gjitha humbjet e pësuara që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Aksionet europiane fshinë humbjet që kishin pësuar që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt  dhe të premten shënuan rritjen më të mirë javore që nga nëntori 2020.

Indeksi Stoxx Europe 600 u mbyll 0.9% më lart. Aksionet e teknologjisë dhe udhëtimeve dhe kohës së lirë performuan më mirë. Treguesi është rikuperuar me më shumë se 9%, në krahasim me nivelin më të ulët që arriti në 8 mars, pas optimizmit rreth negociatave të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës dhe sinjaleve optimiste nga Rezerva Federale për shëndetin e ekonomisë.

Besimin e rriti edhe lajmi se Rusia kishte transferuar dollarë amerikanë për të shlyer pagesat e kuponit që duhet të bëhet mërkurën për dy eurobono.

Reklama e sponzorizuar

Aksionet europiane kishin rënë më herët për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e luftës në rritjen rajonale, gjë që shtoi pritshmëritë për rritjen e inflacionit dhe shtrëngimin e politikave nga banka qendrore. Gjithsesi indeksi është ende larg nga rekordi i tij i janarit, pasi shqetësimet vazhdojnë për ngadalësimin e rritjes ekonomike. Një grup strategësh presin që Stoxx 600 të mbyllë vitin me pak ndryshime.

“Investitorët vazhdojnë të vëzhgojnë gjeopolitikën, por fokusi tani po kthehet më shumë te kostot e mallrave dhe ndikimi te bizneset,” tha Patrick Nielsen, zëvendësmenaxheri i përgjithshëm në Mapfre Asset Management. /Bloomberg/