Çfarë parashohin dy projektet që u prezantuan dje nga Qeveria, Programi Compact dhe projekti solar për ngrohje qendrore në Prishtinë?

Kabineti qeveritar i Kosovës

Gjatë ditës së djeshme, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u prezantuan dy projekte të rëndësishme që pritet të realizohen në Kosovë. Njëri nga ta është pjesë e Programit Compact nga MCC-ja, që ka për qëllim të sigurojë qëndrueshmëri energjetike në Kosovë, kurse tjetri ka të bëjë me një projekt solar i cili do ta ndihmojë ngrohjen qëndrore për rajonin e Prishtinës.

Por, cilat janë detajet e këtyre dy projekteve?

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, u tha se Ministria e Ekonomisë së bashku më Ministrinë e Financave kanë siguruar bashkëfinancimin mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të SHBA-ve, për një projekt që pritet të kushtojë mbi 200 milionë euro, më konkretisht për programin COMPACT, i cili do të fokusohet në sektorin e energjisë. Këto fonde janë nga MCC-ja apo nga programi i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, që në këtë rast është përfaqësues i qeverisë amerikane.

Reklama e sponzorizuar

Sipas deklaratave të qeveritarëve, prioriteti kryesor i kësaj marrëveshjeje është sigurimi i qëndrueshmërisë së sektorit energjetik duke siguruar rezerva përmes baterive akumuluese, përcjell Buletini Ekonomik.

Gjithashtu, në bazë të këtij programi, theks të veçantë i është dhënë edhe fuqizimit të fuqisë arsimore që do ta mbështesë fuqinë punëtore, sidomos tek gratë, duke synuar adoptimin e kurrikulave të reja në arsim dhe duke dhënë kështu shtysë në formimin e profesionistëve të rinj, që do të përmbushin nevojat e shekullit të 21- në sektorin e energjisë.

Fondi prej gjithsej 234 milionë dollarëve nga MCC-ja, do të orientohet kryesisht tek bateritë me kapacitet mbi 200MWh, që do të përdoren për rezerva dhe arbitrazh të energjisë, përveç zhvillimit të fuqisë punëtore dhe përfshirjes së grave në këtë sektor. Rezervat do të përdoren për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të rrymës elektrike si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe shpenzimit.

Nga Ministria e Ekonomisë thonë se bateritë po ashtu mund të përdoren për arbitrazh të energjisë, që do të thotë, për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, dhe shfrytëzimit të saj kur konsumi është i lartë. Tutje, bateritë do të mund të lidhen shumë lehtë edhe me burime solare, të erës, apo të ngjashme, gjë që do ta përshpejtojë kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë.

Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, ky program adreson furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike, modernizimin e kapaciteteve, si dhe edukimin e fuqisë punëtore në teknologji. Gjithashtu, me anë të këtij programi pritet që të lehtësohet edhe tranzicioni i gjelbër energjetik i Kosovës, duke ia siguruar vendit pavarësinë energjetike.

Sa i përket zhvillimit të fuqisë punëtore energjetike për të ardhmen, ky projekt synon të krijojë një program të studimit që do të zhvillojë aftësitë e individëve që do të punojnë në sektorin e energjisë në vend, dhe fuqia punëtore gjithëpërfshirëse në sektor të energjisë, do të synojë përfshirjen më të madhe të grave në sektor përmes disa nën-aktiviteteve, siç janë bursat për studime universitare në fushën e energjisë, të dedikuara për gra, mbështetje e punëdhënësve në sektor për ambient më të përshtatshëm për gra, rritja dhe fuqizimi i rrjetit të grave në energji, rritja e ndërmarrësisë së grave si dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra.

Ndërkohë, projekti i dytë i prezantuar dje është një projekt solar, i cili pritet që të ndihmojë me ngrohjen qendrore në Prishtinë. Siç njoftohet, Projekti “Solar4Kosovo’’ që do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë me një kapacitet të instaluar prej 70 MW dhe do të jetë bashkëdyzim i dy komponentëve: distriktit solar të ngrohjes (Termokos) dhe fuqisë fotovoltaike (KEK).

Ky kapacitet i instaluar në këtë projekt prej 70 MW, ka për synim që t’i shtohet sistemit të ngrohjes qendrore aktuale të Prishtinës, duke i lidhur kështu lagjet e reja me ato që tashmë janë pjesë e rrjetit.

Sipas kryeministrit Kurti, kapaciteti i shtuar që synon shpërndarjen e nxehtësisë nga sistemi termik diellor në rrjetin e ngrohjes qendrore në Termokos, do të furnizojë 12 mijë familje ose 60 mijë qytetarë me ngrohje termike në qytetin e Prishtinës.

Lokacioni i përcaktuar nga Qeveria për ndërtimin dhe funksionalizimin e këtij projekti, është fshati Shkabaj në komunën e Obiliqit.

Investimi total vlerësohet të jetë rreth 64 milionë euro, prej të cilave 26 milionë thuhet se janë grant nga Gjermania, kurse pjesa tjetër bashkëfinancim nga BERZH-i. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/