Pas grurit si prodhimi i parë strategjik, misri është kultura më e rëndësishme për konditat tona agro-ekologjike, të cilës kulturë bujqësore, prandaj, duhet t’i japim prioritet shumë më të madh në raport me vitet paraprake, thotë profesor Imer Rusinovci, njëri nga njohësit e vlerësuar të zhvillimeve agrare në vendin tonë, në një intervistë për Buletinin Ekonomik.
Profesor Rusinovci me ngulm ka kërkuar zgjerimin e sipërfaqeve kultivuese me misër dhe intensifikimin e i kësaj kulture të rëndësishme lavërtare në arat e fermerëve tanë.
Sipas tij, misri është pro-motori i zhvillimit të prodhimtarisë bujqësore dhe çelës i intensifikimit të industrisë ushqimore, ndërkohë që te ne kultivimi i misrit akoma ka ngelur shumë prapa.
“Vetëm kultivimi intensiv i misrit në sipërfaqe sa më të mëdha kultivuese, mundëson prodhim të duhur të qumështit, mishit, vezëve dhe nënprodukteve tjera animale që janë të domosdoshme për nevojat e popullatës. Zgjerimi i sipërfaqeve kultivuese me misër dhe intensifikimi i kësaj kulture të rëndësishme lavertare duhet të mbështetet në kritere të mirëfillta agronomike në vartësi të periudhës vegjetative të hibrideve dhe lartësisë mbidetare të rajoneve prodhuese”, thotë profesor Rusinovci.
Duke rekomanduar llojet e misrit që duhet të kultivohen më shumë në Kosovë, me qëllim të rritjes së rendimentit të kësaj kulture bujqësore, Rusinovci thotë se nëse destinacioni i misrit është kokrra, rajonet me lartësi të madhe mbidetare duhet ta orientojnë prodhimtarinë e misrit në hibride të hershme, rajonet me lartësi mbidetare të mesme në kultivim, duhet të kenë hibridet e grupacionit të FAO-së 300-400, ndërsa në rajonet me ekspozicion më të ulët të terrenit në prodhimtari mund të përfshijnë edhe grupacionet e hibrideve të FAO-së 500.
Mirëpo, nëse qëllimi është silazhimi i misrit, atëherë mund të përfshihen hibridet me grup më të lartë të FAO-së, gjithmonë në përputhje me lartësitë mbidetare të rajoneve kultivuese.
Kultivimi i misrit sivjet do ta ketë edhe vëmendjen e shtuar të shtetit. Sipas njoftimeve të Ministrisë së Bujqësisë, kultivimi i misrit sivjet pritet të mbështetet me 329 euro për hektarë, që karshi vitit 2020 kur mbështjetja për këtë kulturë ishte 150 euro për hektare, i bie që subvencionet ata që do të mbjellin misër, do t’i kenë qind për qind më të mëdha se në vitin paraprak. /Buletini Ekonomik/