Çmimet e plehëruesve për bujqësinë shënojnë rekord nëpër botë, pas shqetësimeve të furnizimit nga Rusia

Çmimet e plehëruesve për përdorim bujqësor po thyejnë rekorde të reja pasi furnizimet nga Rusia, eksportuesi kryesor, janë zvogëluar, duke shtuar më tej frikën për sigurinë ushqimore.

Ndalimi i eksporteve të Rusisë këtë muaj – përfshirë lëndët ushqyese kryesore që përmbajnë azot, potas dhe fosfat – ka rritur çmimet, ndërkohë që fermerët tashmë po përballeshin me kosto të larta të plehrave për shkak të sanksioneve ndaj Bjellorusisë, një prodhues kryesor i potasit dhe kufizimeve të eksportit nga Kina.

Në Europë, rritja e çmimeve të gazit natyror, përbërësi kryesor për lëndët ushqyese të kulturave me azot, ka bërë që prodhuesit, përfshirë Yara, të ulin prodhimin e tyre.

Reklama e sponzorizuar

Indeksi i plehëruesve nga CRU, një kompani konsulence, është rritur 30 për qind që nga fillimi i vitit dhe tani është më i lartë se nivelet e arritura gjatë krizës së ushqimit dhe energjisë kur çmimet u rritën në 2008.

Çmimet më të larta të plehëruesve do të thonë se kostot e prodhimit globalisht do të rriten, duke ndikuar në cilësinë e të korrave.

“Rendimentet mund të jenë më të ulëta nëse fermerët zgjedhin ose detyrohen të reduktojnë aplikimet e plehrave, duke ndikuar potencialisht në prodhimin global,” paralajmëroi AHDB, një organizatë këshilluese e fermerëve në Mbretërinë e Bashkuar. /Financial Times/