Danimarka propozon ndalimin e shitjes së duhanit për të mbrojtur gjeneratat e ardhshme

Danimarka ka zbuluar planet për të ndaluar shitjen e cigareve dhe produkteve të nikotinës për çdo shtetas të lindur pas vitit 2010. Masa synon të parandalojë gjeneratën e ardhshme të danezëve që të prekin çdo lloj duhani, tha në një konferencë shtypi Ministri i Shëndetësisë Magnus Heunicke.

“Nëse është e nevojshme, ne jemi gati të ndalojmë shitjet për këtë gjeneratë [të lindur në 2010] duke rritur gradualisht kufirin e moshës së blerjes,” tha Heunicke. Sipas rregullave aktuale, shtetasve danezë nën moshën 18 vjeç u ndalohet të blejnë duhan ose të tymosin cigare elektronike.

Por rreth 31% e njerëzve të moshës 15-29 vjeç ende pinë duhan, tha Heunicke. Ministri i Shëndetësisë shtoi se duhani është shkaku kryesor i kancerit në vendin nordik, duke shkaktuar 13,600 vdekje në vit.

Reklama e sponzorizuar

Sipas një sondazhi të porositur nga Shoqata Daneze e Kancerit, 64% e të anketuarve janë në favor të planit për të ndaluar shitjen e cigareve për ata që kanë lindur pas 2010. Midis 18-34-vjeçarëve, 67% e të anketuarve ishin pro.

Në dhjetor, Zelanda e Re njoftoi se do të ndalonte gradualisht shitjen e duhanit nga viti 2027 duke rritur moshën në të cilën mund të blihet. Në Danimarkë, qeveria socialdemokrate synon gjithashtu të trajtojë konsumimin e alkoolit tek të rinjtë.

Autoritetet planifikojnë të rrisin kufirin e moshës për blerjen e pijeve alkoolike nga 16 në 18 për të gjitha pijet që përmbajnë më pak se 16.5% alkool./SCAN TV/