Energjia e gjelbër në qendër të Samitit për Ballkanin në Londër

Turbinat me erë

Shtetet e Ballkanit Perëndimor u shprehën të përkushtuara për tranzicionin drejt energjisë së gjelbër, teksa ky rajon po përballet me krizë energjetike.

Në Samitin e pestë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kryeministrat e Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, iu kërkua që të kenë për prioritet energjinë e ripërtërishme.

“Dekarbonizimi është kritik për Ballkanin Perëndimor. Çdo qeveri duhet ta ketë prioritet numër një plan për të hequr dorë nga qymyri pa kompromentuar sigurinë energjetike”, tha presidentja e BERZH-it, Odile Renaud-Basso në samitin që u mbajt të hënën në Londër.

Reklama e sponzorizuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova po përpilon Strategjinë për Energji dhe po punohet që të ketë edhe çmime të lira të energjisë, por edhe burime të qëndrueshme të energjisë.

“Ne do të fokusohemi në diversifikim, decentralizim dhe efikasitet. Por, në të njëjtën kohë ne do të na duhet të bëjmë ndërhyrje në termocentralet ekzistuese në mënyrë që të zvogëlojmë ndotjen. Energjia diellore dhe me erë kanë potencial në Kosovë dhe ne planifikojmë që të bashkëpunojmë ngushtë me sektorin privat”, tha Kurti.

Ai tha se tranzicioni drejt energjisë së gjelbër duhet të jetë i shpejtë, por i drejtë, që në një të ardhme të parashikueshme Kosova të heqë dorë nga përdorimi i qymyrit.

Kosova ka qymyrin si burim bazë për prodhimin e energjisë, pasi 95 për qind të energjisë elektrike e prodhon nga djegia e qymyrit në dy termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Ndërkaq, 2.7 për qind e energjisë prodhohet nga hidrocentralet dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet diellore.

Edhe shtetet e tjera të Ballkanit, përveç Shqipërisë, varen shumë nga prodhimi i energjisë me thëngjill.

Ndërkaq, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se ka shumë sfida drejt kalimit në energji të gjelbër, por ajo shtoi se me investime në këtë sektor, mund të arrihet drejt këtij qëllimi.

“Ka shumë hapësirë për investitorët privatë në sektorin e energjisë së ripërtërishme”, tha ajo, duke shtuar se 95 për qind e energjisë së ripërtërishme që prodhohet në Serbi, vjen nga investimet private.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, tha se në shtetin e tij veçse kanë nisur projekte të mëdha energjetike, përfshirë transformimin e minierave të linjitit, por edhe kanë një projekt të madh të ndërtimit të një hidrocentrali.

Kovaçevksi tha se Maqedonia e Veriut ka shumë potencial për energji diellore.

“Mënyra për të ecur përpara është transformimi i energjisë, diversifikimi i energjisë, sepse na duhet ky diversifikim pasi jemi krejtësisht të varur nga gazi rus dhe siç e keni parë, Maqedonia e Veriut respekton plotësisht aktivitetet e BE-së sa i përket agresionit rus në Ukrainë dhe ne qëndrojmë me popullin ukrainas”, tha Kovaçevski.

Shqipëria, sipas kryeministrit Edi Rama, është krejtësisht e varur nga energjia që prodhohet me ujë, por Tirana po punon që të diversifikojë burimet e saj të energjisë.

“Besoj se diversifikimi e prodhimit të energjisë, por prodhimi i energjisë nga uji do të mbetet burimi ynë kryesor, prandaj tani jemi duke investuar në një projekt të madh që do të na lejojë të kemi elementin që na mungonte në sistemin tonë, e që është balanca”, tha Rama.

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, tha se një shtet është energjetikisht i pasur, edhe ekonomikisht do të jetë i pasur.

Ai tregoi se me mbështetjen e BERZH-it, Mali i Zi është duke finalizuar Ligjin për energjinë e qëndrueshme, që sipas tij do të ndihmë që të shfrytëzohet potenciali për prodhimin e energjisë së ripërtërishme.

“Ky potencial i madh ka të bëjë me energjinë diellore, të erës dhe hidroenergjisë, dhe sigurisht që ne kemi disa fusha ku është e mundur të kemi termocentrale diellore lundruese, që ende nuk jemi përpjekur t’i afirmojmë në mënyrën e duhur, kështu që Mali i Zi është një vend i mirë për të ardhmen”, tha ai.

Ndërkaq Zoran Tegeltija, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, tha se për shkak të krizës energjetike që ka prekur Ballkanin, por edhe Evropën në përgjithësi është e vështirë që të ketë një balancë sa i përket energjisë.

Por, ai tha se në të ardhmen, nuk mjafton vetëm një burim i energjisë.

“Ne po punojmë për të siguruar një burim tjetër furnizimi me gaz natyror në një përpjekje për të bërë që sektorë të caktuar të industrisë dhe familjeve ta përdorin atë burim. Ajo që ne po bëjmë në BeH është një përpjekje për të siguruar sasi shtesë të energjisë dhe fermave me erë dhe ndërtimin e hidrocentraleve”, tha ai.

Në këtë samit, liderët e Ballkanit po ashtu treguan se prioritet kanë ndërtimin e lidhjeve më të mira infrastrukturore. Për Kosovën prioritet u tha se është hekurudha Prishtinë-Durrës, ndërkaq, Serbia përmendi edhe “Autostradën e Paqes” që do ta lidhte Kosovën dhe Serbinë.

Digjitalizimi u tha se është një ndër prioritetet e tjera, ndërkaq shtetet e Ballkanit po ashtu thanë se kanë potencial të tërheqin investime edhe në sektorin e turizmit.

Ndërkaq, sa i përket luftës në Ukrainë, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi shprehën solidaritetin me Ukrainën. Ndërkaq, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk u deklaruan në këtë temë.

Serbia më herët ka thënë senuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, që ka nisur pushtimin e Ukrainës, ndërkaq Presidenca e Bosnjës – që përbëhet tri entitete – nuk ka një qëndrim të përbashkët për dënimin e pushtimit rus.

Ndërkaq, BERZH tha se deri më tani ka investuar në rajonin e Ballkanit Perëndirmo mbi 50 miliardë euro në total deri më tani dhe do të vazhdojë të investojë mbi 1 miliard euro në vit.

Në këtë samit ishte i pranishëm edhe Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili tha se mbetet se mbetet i përkushtuar që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE.

Nga vendet e Ballkanit, Serbia dhe Mali i Zi kanë avancuar drejt integrimit në BE, duke hapur disa kapituj në kuadër të negociatave për anëtarësim. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë në pritje të nisjes së negociatave për anëtarësim, ndërkaq, Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë më prapa sa i përket procesit integrues. /REL/