Fermerët e Shqipërisë dhe çmimet e larta në sezonin e mbjelljeve

Janë javët e para të pranverës dhe fermerët janë në kulmin e punëve të tyre në bujqësi. Por, rritja me shpejtësi dhe e paparashikuar e çmimit të naftës dhe gjërave të tjera bujqësore, ka shtyrë shumë prej tyre që t’i drejtohen zyrave të agjencise për zhvillimin bujqësor dhe rural për të aplikuar në skemën kombëtare të mbështetjes, shpallur muajin e kaluar nga qeveria shqiptare. Fermeri Pal Shkami thotë për Zërin e Amerikës se pa këtë mbështetje nuk ka mundësi të përballojë shpenzimet për punimin e tokës.

“Është e nevojshme me marrë naftën, se çmimi i punimit të tokës ka shku në stratosferë. Nëqoftëse më japin këtë sasi nafte, marr traktoristin që e kam në lagje, ja jap naftën dhe ai m’a zbret në çmimin e punimit të tokës. Kjo është për të përballuar këtë situatën”.

Fermeri Shtjefën Gjinaj thotë se rritja e menjëhershme e çmimit të naftës është shoqëruar me trefishimin e çmimit të punimit të tokës dhe plehrave kimike, duke e bërë të papërballueshme punën në bujqësi.

Reklama e sponzorizuar

“Naftën po thojmë se na e japin pa lekë, por traktoristi don paret e punës së vet. Vitin e kaluar kanë marrë 12 mijë lekë për dynym, nitrati ka shkuar 60-70 mijë lekë për thas, ndërsa vjet e kam marrë me 18-20 mijë. Atëherë, ku kam mundësi unë me e ble urenë?”

Mbështetja për fermerët është pjesë edhe e paketës së rezistencës sociale, të shpallur pak ditë më parë nga qeveria shqiptare për të përballuar pasojat e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare për shkak i luftës në Ukrainë. Por një pjesë e fermerëve që aplikojnë për të përfituar nga kjo paketë janë ende të paqartë dhe dyshues për efektet e saj. Prandaj, shumë prej tyre po presin në mëdyshje për të filluar apo jo punimin e tokës.

Megjithëse mbështetja për fermerët përfshin 5 fusha, kryesisht fermerët janë të interesuar për naftën pa taksa, për shkak të çmimit të saj, gjithnjë e në rritje në treg. Drejtori i Bujqësisë në Shkodër, Hysni Ligataj, thotë se deri tani kanë aplikuar për të përfituar naftë pa taksa më shumë se 3 mijë fermerë dhe se, për shkak të këtij interesimi, procesi i aplikimit është zgjatur deri në fillim të muajit prill.

“Interesi më i madh i fermerëve është për aplikimet për naftën. Dihet se punët me mekanikën bujqësore janë në kostot bazë të prodhimeve bujqësore. Në bazë të përllogaritjeve, që kanë bërë specialistët e Ministrisë së Bujqësisë, fermerët marrin 50% të naftës falas, ose naftë pa akcizë. Llogaritjet bëhen mbi bazën e kulturave bujqësore, nuk është fikse për çdo kulturë, por sipas kulturave dhe punimeve që bëhen për secilën kulturë.”

Përmes paketës së rezistencës sociale, qeveria shqiptare ka krijuar një fond prej 1.45 miliard lekësh, si mbështetje për fermerët me naftë pa taksa, vlerë të cilën e rriti ditët e fundit edhe me 500 milion lekë të tjera, për punimet e mekanizuara të fermerëve. Por, pavarësisht kësaj mbështetje, çmimi i lartë i karburanteve, shoqëruar me rritjen e paparashikuar të çmimit të plehrave kimike, sipas ekspertëve të fushës së bujqësisë, ka bërë që fermerët, këtë sezon, të mbjellin më pak, gjë që pritet të reflektohet në ekportet e vendit, por edhe në tregun e brendshëm.