Gjermania synon të ketë 100% të rrymës nga BRE-të deri më 2035

Panele solare dhe turbinat me erë

Gjermania ka për synim të plotësojë të gjitha nevojat për energji elektrike nga burimet e ripërtëritshme të energjisë deri më 2035, edhe pse më herët kishte thënë se ka për synim të largojë të gjitha karburantet fosile para vitit 2040, thuhet në draftin e një dokumenti zyrtar të qeverisë në Gjermani.

Gjermania ka qenë nën presion të vazhdueshëm nga vendet perëndimore për të larguar varësinë ndaj gazit rus, por vendimi për të mbyllur termocentralet me qymyr deri më 2030 dhe ato bërthamore deri më 2022 e kanë lënë këtë vend pa opcione energjetike.

Ministri i Ekonomisë në Gjermani, Robert Habeck ka thënë se përshpejtimi i procesit të zgjerimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë është kyç në largimin e varësisë së Gjermanisë nga furnizimet ruse me karburante fosile.

Reklama e sponzorizuar

Madje, Ministri i Financave në Gjermani i është referuar burimeve të ripërtëritshme të energjisë si “burime të lirisë”.

Sipas dokumentit të ri drafti i të cilit është bërë publik, energjia solare dhe e erës në Gjermani do të mbulojë 80% të furnizimit me energji elektrike në këtë vend deri më 2030, ndërsa më 2035 këto burime të energjisë do të mbulojnë gjithë furnizimin.

Sipas planeve, deri më 2035 Gjermania do të dyfishojë kapacitetet e energjisë së erës në sipërfaqe tokësore në 110 gigavat, ato të erës në det të hapur në 30 gigavat, ndërsa kapacitetet solare do të trefishohen në 200 gigavat, thuhet në dokument.