Norma vjetore e inflacionit në Kosovë, në muajin shkurt të këtij viti, ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të një viti më herët (shkurt-2021).
Ndërsa, krahasuar me muajin janar të këtij viti, në shkurt inflacioni kishte rritje për 1.1 për qind, konstatojnë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Rritjen më të lartë në çmim në muajin shkurt të këtij viti, në krahasim me shkurtin e 2021-s, e shënuan vajërat dhe yndyrnat ushqimore për 32.1 për qind, buka dhe drithërat, të cilat patën rritje për 15.7 për qind, mishi për 8.6 për qind, kurse qumështi, djathi dhe vezët shënuan rritje për 11.1% për qind, përcjell Buletini Ekonomik.
Rritje të larta në çmim shënuan edhe produktet e tjera, si: perimet për 13.8 për qind, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollatat dhe ëmbëlsirat për 11.3 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore si: salcat, erëzat, kripa, ushqimi për fëmijë etj. Shënuan rritje për 6.5 për qind, kafeja, çaji dhe kakao për 12.5%, uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet për 3.9%, si dhe duhani për 4.7%.
Edhe energjia elektrike ka shënuar rritje për 12.3 për qind në muajin shkurt 2022, krahasuar me shkurtin e vitit 2021, madje pa tarifat e reja të energjisë, që sipas ASK-së, ndryshimet e reja në tarifa do të pasqyrohen në të dhënat e muajit mars të këtij viti. Kjo për shkak se ndryshimi i çmimit për tarifat, gjegjësisht kategorinë mbi 800 KW të aprovuara dhe të aplikuara nga data 09 shkurt 2022, janë ende në procedim faturimi për konsumin e energjisë elektrike për ekonomitë familjare që i takojnë kësaj kategorie, dhe përgjegjësit e KESCO-s kanë rekomanduar që këto ndryshime të paraqiten në publikimin e të dhënave për muajin mars 2022 (si muaj referues).
Edhe gazi ka pësuar rritje për 18.8% në muajin shkurt 2022 krahas shkurtit 2021, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, peleti etj. për 14.0%, pajisjet shtëpiake për 5.3%, veglat dhe pajisjet për shtëpi dhe kopshte për 5.4%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake për 3.6%, blerja e automjeteve u rrit për 5.4%, kurse karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal u rritën për 28.2 për qind.
Ndërsa, rënie e çmimeve, sipas ASK-së është vërejtur vetëm te nëngrupet e COICOP-it: pemë me -8.8% dhe veshje me -3.0%.
Ndërkohë, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1.1% në muajin shkurt 2022, krahasuar me muajin janar 2022.
Rritja sërish është shënuar tek buka dhe drithërat (0.8%), te mishi (0.8%), qumështi, djathi dhe vezët (2.0%), vajra dhe yndyra ushqimore me 1.0%, pemët (1.5%), perimet (9.6%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollatat dhe ëmbëlsirat me 1.4%, ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.0%), veshjet (0.7%), si dhe pajisjet shtëpiake (1.4%).
E karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal shënuan rritje ekstreme për një muaj prej 5.5 për qind, pra nga janari në shkurt 2020, derivatet u rritën në çmim për 5.5 për qind. (M.Shabani) /Buletini Ekonomik/