Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se përmes Inspektoratit të Tregut, bashkë me Inspektorët e ATK-së, Inspektorët komunal dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, gjatë gjithë ditës së djeshme kanë inspektuar në të gjithë vendin.
Gjatë këtyre inspektimeve, ata thonë se kanë hasur në shkelje të ndryshme tek disa operatorë ekonomikë.
Vetëm gjatë ditës së djeshme, këto organe kanë shqiptuar gjithsej 20 gjoba ndaj bizneseve, 4 inicime të procedurës për kundërvajtje si dhe 9 sekuestrime mallrash, përcjell Buletini Ekonomik.
Inspektorati i Tregut i MINT në bashkëpunim me Inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), kanë inspektuar dje edhe pikat shitëse me pakicë të naftës dhe derivateve të naftës me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të Vendimit të Qeverisë së Kosovës për përcaktimin e marzhës tregtare.
Te disa biznese, është konstatuar se ka pasur mosbarazim sa i përket sasisë së stokut dhe me këtë rast do të shqiptohen gjoba në përputhje me ligjin.
Janë inspektuar depo dhe markete të shumta thonë nga MINT, dhe me këtë rast janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e vajrave ushqimore për shkak të mungesës së dokumentacionit, është konstatuar mospërputhje e çmimeve, mashtrime me sasisë e produkteve etj.
“Me këtë rast janë shqiptuar një numër i madh i gjobave gjithashtu lëndët do të trajtohen në pajtim me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e MINT-it.
Nga ministria zotohen se këto inspektime do të vazhdojnë dhe në çdo rast kur konstatohen shkeljet, do të merren edhe masa ndëshkuese. /Buletini Ekonomik/