Gjatë periudhës së tremujorit të katërt të vitit 2021, presionet inflacioniste që kishin shoqëruar ekonominë globale dhe atë të eurozonës, kishin reflektuar edhe në ekonominë e Kosovës dhe atë të vendeve të rajonit.
Si pasojë e rritjes së kërkesës së brendshme dhe rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, në vendet e Ballkanit Perëndimor ishte raportuar një rritje e lartë e shkallës së inflacionit. Kështu, shkalla mesatare e inflacionit gjatë TM4 të 2021-s, në Ballkanin Perëndimor ishte 5.4 për qind, ku Kosova dhe Serbia ishin vendet që regjistruan shkallën më të lartë të inflacionit. Kosova kishte shënuar një shkallë prej 6.4 për qind, kurse Serbia 7.3 për qind, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të përmbledhura në një raport tremujorësh për aktivitetin ekonomik të vendit, rritja e kërkesës së përgjithshme si rezultat i rikuperimit ekonomik, shoqëruar me presionet e jashtme inflacioniste si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë dhe çmimeve të mallrave të importuara nga vendet partnere, ndikuan që Kosova të raportojë vazhdimisht për rritje të çmimeve të përgjithshme në vend, matur përmes katër indekseve që përpilohen nga ASK.
Si rrjedhojë, indeksi i çmimeve të konsumit në vend kishte shënuar rritje prej 3.4 përqind në vitin 2021, pasuar nga indeksi i çmimeve të prodhimit që shënoi rritje prej 4.9 përqind, indeksi i kostos së ndërtimit për 10.9 përqind, si dhe indeksi i çmimeve të importit rritje për 11.1 përqind. Por, rritja më e lartë e çmimeve të konsumit ishte evidentuar në TM4 2021 (tetor-nëntor-dhjetor), kur është shёnuar një normë mesatare e inflacionit prej 6.4 pёrqind
Rritje më e lartë e çmimeve gjatë këtij tremujori ishte shënuar tek transporti, mjetet e komunikimit, ushqimi dhe pijet joalkoolike, rryma, gazi dhe lëndët tjera djegëse, etj. Në anën tjetër, vetёm çmimet e veshmbathjes kishin shёnuar rёnie tё çmimeve. Duke marrë parasysh që struktura e shportës së konsumatorit kosovar dominohet nga kategoria e ushqimit dhe pijeve joalkoolike (39.9 pёrqind), si dhe kategoria e shpenzimeve të transportit (15.8 pёrqind), këto kategori rezultojnë të kenë kontribuar në rritjen e përgjithshme të të çmimeve për 2.6 përkatësisht 2.2 pikë përqindje, konstatohet në raportin e BQK-së.
Çmimet e ushqimit dhe pijeve joalkoolike gjatë këtij tremujori të fundit të 2021-s, kishin shënuar rritje për 6.3 përqind. Në kuadër të kategorisë së ushqimit, rritjen më të theksuar në vendin tonë e kishin shënuar çmimet e vajrave dhe yndyrave (30.5 përqind), pasuar nga çmimet e bukës dhe drithërave (11.1 përqind), perimeve (9.1 përqind), si dhe qumështit, djathit dhe vezëve (6.9 përqind), ndërsa vetëm çmimet e pemëve shënuan rënie prej 3.8 përqind në TM4 2021.
Ndërkohë, sipas Bankёs Botёrore, edhe çmimet e naftës (brent crude) arritën në nivelin mesatar prej 78.3 dollar për barel në TM4 2021, që tregon për një rritje vjetore të çmimit prej 79.4 përqind. Për shkak të rritjes së çmimit të derivateve të naftës, shpenzimet e transportit në Kosovë shënuan rritje prej 15.1 përqind në TM4 2021. Rritja më e lartë e çmimeve të transportit është shёnuar tek pёrdorimi i pajisjeve pёr transportin personal (25.8 pёrqind), pastaj blerja e automjeteve (5.2 pёrqind), si dhe shёrbimet pёr transport (1.9 pёrqind).
Në anën tjetër, çmimet e rrymёs, gazit dhe lёndёve tjera djegёse deri nё shtator 2021, kishin shënuar rёnie prej 1.2 pёrqind, ndёrsa nё TM4 2021 kishin shёnuar rritje prej 5.9 pёrqind, si rezultat i krizёs energjetike, e shkaktuar nga çmimet e larta të energjisë në tregun ndërkombëtar por edhe rritjes së konsumit gjatë muajve të dimrit, pasi qё një pjesë e madhe e energjisё pёrdorej pёr ngrohje.
Nga BQK-ja vlerësojnë se trendi i përshpejtuar i rritjes së çmimeve pritet tё vazhdojë edhe nё vitin 2022 dhe sipas parashikimeve të BQK-së, shkalla mesatare e inflacionit pёr këtë vit pritet tё jetё 6.4 pёrqind.
“Tё ngjashme me parashikimet e BQK-sё janё edhe pritjet e bankave, tё cilat kanё deklaruar se presin qё niveli i inflacionit do të jetë mё i lartë kёtё vit krahasuar me vitin e kaluar. Sidoqoftë, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit, pas invadimit të Rusisë në Ukrainë, niveli i inflacionit mund të jetë edhe më i lartë”, thuhet tutje në këtë raport të BQK-së, sa i përket inflacionit. (M. Shabani) /Buletini Ekonomik/