Kosova, pranë vendimit për pagën minimale

Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç. Ajo nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se, së shpejti, do të propozojnë nivelin e pagës minimale. Sindikatat kërkojnë që paga minimale të jetë 350 deri në 400 euro, kurse qeveria thotë 250 euro.

Presioni mbi Qeverinë e Kosovës për pagën minimale është rritur. Çështja e pagës minimale ka nxitur debat ditëve të fundit që kur kryeministri Albin Kurti njoftoi se së shpejti do të dalë me një propozim.

“Në koordinim me Këshillimin Ekonomik Social, së shpejti do të propozojmë nivelin e pagës minimale”, deklaroi Kurti. Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Reklama e sponzorizuar

Në Programin e Qeverisë së Kosovës, për periudhën 2021-2025, shkruhet se paga minimale do të rritet në 250 euro. Kryeministri Kurti ka treguar se si synon të arrijë deri në përmbushjen e këtij zotimi, të cilin e ka përmendur me vite të tëra sa ishte në opozitë, por që nuk e përmendi edhe aq shumë në 11 muaj qeverisje.

Kurti tha se puna për rritjen e pagës minimale sapo ka filluar dhe se do të sigurohet pragu i të ardhurave për punëtorët që të kenë një pagë të dinjitetshme,

“Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë mënjanë. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’u sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme. Ende pa i mbushur një vit në qeverisje, kemi filluar ndërmarrjen e hapave të nevojshëm drejt rritjes së pagës minimale”.

Kryeministri ka thënë se hapi i parë në arritjen e këtij qëllimi është rregullimi i kornizës ligjore dhe më tej ka shtuar se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve vetëm se ka përgatitur projektligjin, i cili do të dalë së shpejti në konsultime publike.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve veçse ka përgatitur projektligjin, i cili do të dalë së shpejti në konsultime publike. Krahas kësaj, në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale. Propozimi pastaj miratohet në Qeveri dhe kësisoj mbyllet procesi”.

Sindikatat duan që paga minimale të jetë 350 ose 400 euro

Sindikatat në Kosovë nuk po pajtohen me rritjen në 250 euro. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kërkon që paga minimale të jetë 350 euro. Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, thotë se paga minimale duhet të jetë 350 euro e lart, sidomos tani kur çmimet janë rritur shumë.

Ndërsa thotë se paga minimale aktuale është diskriminuese, Hykolli bën të ditur se kanë themeluar komisioni për hulumtim dhe diskutim për pagën minimale.

“Çmimet kanë ndryshuar shumë, edhe ato esenciale për jetën e njeriut, kështu që ne jemi duke pritur komisionet, sepse ata janë duke bërë një hulumtim për pagën minimale, mirëpo si BSPK, mendojmë që për pagat minimale duhet të fillojë negocimi për 350 euro e më lart. Paga minimale nuk është diskutuar që nga viti 2011.

Kemi edhe një pagë minimale që është diskriminuese, është 170 euro për moshën mbi 30-vjeçare, dhe 130 euro nën moshën 30-vjeçare. Neve na duket se është një negocim i lartë, por po të ishte negociuar paga minimale nga viti 2011, atëherë ne do ta kishim një pagë minimale ndoshta edhe më shumë se shifrën që po e them tani”.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat (SPSK) s’është pajtuar as me raportimet për pagë minimale 250 euro e as për kërkesën e Bashkimit të Sindikatave, për pagë minimale 350 euro. Jusuf Azemi, kryetar i SPSK-së, ka thënë se s’do të pajtohen me asnjë pagë minimale nën 400 euro.

“Nuk guxoj të them se cili do të jetë propozimi i kryeministrit për pagën minimale. Njëherë pati thënë 350 euro e më pas 250. Ne nuk duam të flasim se për cilën shumë e ka fjalën. Ne bëjmë të ditur se, nëse duhet biseduar për pagën minimale, duhet bërë me përfaqësuesit e sektorit privat dhe jo të tjerët. Neve nuk na pajton çfarëdo page që është nën 400 euro, edhe pse kjo pagë është shumë e vogël”.

Azemi është ankuar për kushtet e punëtorëve në vend, duke shtuar se mbi 200 mijë punëtorë kanë aplikuar për viza pune për të dalë jashtë vendit. “Rritja e inflacionit e ka përdhosur edhe më shumë gjendjen e punëtorëve të sektorit privat. Strumbullar i të gjitha këtyre të këqijave ka qenë edhe rritja e energjisë elektrike”, ka thënë ai. Çështja e pagave do të dalë në Kuvend muajin e ardhshëm, kur deputetët pritet të shqyrtojnë Ligjin për Paga.

Punëdhënësit përkrahin rritjen e pagës

Edhe punëdhënësit në Kosovë janë shprehur pro rritjes së pagës minimale. Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se punëdhënësit përkrahin propozimet për rritje të pagës minimale. Rukiqi ka thënë se rritja e pagës minimale nuk ka ndodhur deri tani, për shkak të efekteve buxhetore që sjell ajo dhe të ndryshimeve të shpeshta të Qeverisë.

“S’është thjesht dëshirë, por kërkon ndryshime ligjore e qasje më analitike duke marrë parasysh të gjithë indikatorët ekonomikë që në pandemi, disa janë përkeqësuar e disa janë përmirësuar. Ne si Këshill Ekonomiko-Social, kemi pasur propozim që të jetë diku 250-270 euro nëse s’gaboj. Kjo ishte para disa kohësh, kur u kërkua një propozim nga Këshilli Ekonomik-Social. Ka hapësirë të diskutohet, por duhet pasur parasysh që paga minimale nuk i zgjidh të gjitha problemet”.

Sipas Rukiqit, një pagë minimale s’mund të pritet që do të përmirësojë mirëqenien e së gjithë familjes. “Supozimi i ekzistimit të pagës minimale, apo arsyetimi i saj konsiston me nevojën që ajo pagë t’ia mbulojë një individi nevojat e domosdoshme për të jetuar”.

Ai ka thënë se punëtorët në Kosovë në pakicë të vogël kanë mbetur në paga minimale. Sipas tij, tashmë është ulur edhe gatishmëria për të punuar me pagë më të vogël. Pronari i “Meka Halal Food”, Burim Piraj, njoftoi se ka vendosur që paga minimale në kompaninë që drejton nga 1 marsi 2022 të jetë 400 euro.

Piraj ka thënë se nuk ndihet mirë kur e sheh vendin në një gjendje kaotike, ku fuqia punëtore është e sfiduar për ekzistencë nën presionin e rritjes së madhe të çmimeve të artikujve bazë dhe të energjisë.

“Si pjesëtar i komunitetit të biznesit në vend nuk mund t’i lejoj vetes rolin e spektatorit të ngjarjeve ekonomike dhe politike në vend. Kosova është Atdheu ynë dhe ne duhet, me aq sa mundemi, të japim kontribut. Kam marrë vendim që paga minimale në firmën time nga 1 Marsi 2022 me emrin e të Madhit Zot të jetë 400 euro”.

Pushteti e opozita përplasen për pagën dhe rritjen ekonomike

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka shprehur krenarinë për rritjen ekonomike prej 9.9% vitin e shkuar, por ka thënë se në këtë shkallë nuk do të rriten pagat. Ai tha se është pro rritjes së pagave, por këmbënguli se rritja nuk mund të jetë e njëjtë me rritjen ekonomike.

“Ne i kemi fituar zgjedhjet me sloganin drejtësi e punësim e jo ngritje pagash e drejtësi”, ka deklaruar kryeministri. Kurti ka thënë se progresi ekonomik në vitin e fundit është edhe si rezultat i rritjes së besueshmërisë qytetare ndaj ekzekutivit që ai e drejton. Madje, ka përmendur edhe “definicionin e shpresës”, sipas të cilit njerëzit shpenzojnë, kur besojnë që do të kenë më shumë para.

“Njerëzit shpenzojnë, vetëm sepse kanë të shpenzojnë. Nuk është e mundur të shpenzosh nëse nuk ke të shpenzosh. Është kundërthënie logjike. Por ka edhe një arsye tjetër pse njerëzit shpenzojnë – njerëzit nuk shpenzojnë vetëm se thjesht kanë, por njerëzit shpenzojnë kur besojnë që do të vazhdojnë të kenë. Përndryshe nuk shpenzojnë. Dhe ky do të mund të ishte edhe njëfarëlloj, le të themi, definicioni i shpresës në kuptimin e saj në ekonominë e tregut”, ka deklaruar Kurti.

Opozita i ka cilësuar deklaratat për rritjen ekonomike të kreut të Qeverisë manipuluese. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë në Kuvend se Kosova, çdo vit e ka trendin e rritjes, dhe sipas tij Qeveria Kurti është duke e vazhduar këtë trend. Ai ia ka rikujtuar kryeministrit edhe shkallën e inflacionit.

“Ka pasur edhe rritje të çmimeve. Kjo është rritja më e madhe në 22 vitet e fundit, madje në produkte bazë. Çështja është çka bëni ju si qeveri”, i është drejtuar Abdixhiku kreut të ekzekutivit. Kritika ka drejtuar ndaj Kurtit edhe shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri. Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta rrisë pagën minimale.

“A jeni tu ni çka jeni tu folë. Po folni për statistika. A jeni në dijeni se paga minimale është 170 euro. Çdo gjë është shtrenjtuar. Merr vendime, o kryeministër, 60 deputetë i ki”.

Mbi 23% e qytetarëve jetojnë në varfëri

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) propozon që paga minimale të rritet në jo më pak se 300 euro. BSPK-ja është pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social të Kosovës, i cili funksionon si organ i pavarur dhe përbëhet prej anëtarëve që përfaqësojnë interesat e të punësuarve, të punëdhënësve dhe Qeverisë.

Me Ligjin e Punës në Kosovë, ky këshill propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, e cila më pas kalon për miratim te Qeveria. Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar që në vitin 2011. Këshilli Ekonomiko-Social ka propozuar në vitin 2018 që paga minimale të jetë 250 euro, por propozimi nuk ka shkuar më tej.

Në bazë të Nenit 86 të Ligjit të Punës, faktori kryesor që duhet të merret parasysh gjatë përcaktimit të pagës minimale është kostoja minimale e shpenzimeve jetësore. Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23% e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Kosova nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i të punësuarve që marrin pagë minimale, por besohet se ajo u takon më së shumti të punësuarve në sektorin privat. Sektori privat në Kosovë llogaritet si punëdhënësi më i madh: me mbi 220 mijë punëtorë.

Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në pagën minimale përfshihen punëtorët në sektorin e pastrimit, shërbyesit shtëpiakë, punëtorët e sigurimeve private e të tjerë. Paga mesatare bruto në Kosovë është rreth 460 euro. Në sektorin publik, paga mesatare bruto është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat, rreth 380 euro./Monitor.al/