Kosova, vendi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s

Kosova është vendi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që nuk ka të miratuar ende marrëveshje te tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s, më konkretisht me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Ndërkohë, shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe këtyre vendeve, janë rritur vit pas viti, e sidomos eksportet në këto vende.  Vetëm për në Zvicër, eksportet e Kosovës në muajin dhjetor 2021 dhe janar 2022, përbënin 6.6 për qind, perkatësisht 6.9 për qind të të gjitha eksporteve të Kosovës, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Në fillim të vitit 2018, Kosova kishte filluar komunikimin me Sekretariatin e EFTA-s dhe tek në muajin nëntor të po atij viti, në Gjenevë ishte nënshkruar Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe 4 vendeve të EFTA-s. Ndërsa, në muajin nëntor 2020 ishte mbajtur takimi i parë i Komitetit të Përbashkët ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s. Komiteti i Përbashkët përbëhet nga ministrat e katër vendeve dhe është organi më i lartë vendimmarrës.

Sytrime Dervisholli, eksperte e tregtisë, përmes një statusi në facebook, është shprehur se një marrëveshje e tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s (Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni) është shumë e rëndësishme për komunitetin e biznesit dhe Kosovën në përgjithësi.

Dervisholli potencon se vendet e EFTA-s kanë bazë shumë të zhvilluar industriale dhe ofrojnë eliminim total të detyrimeve të importit për të gjitha produktet industriale, ndërsa produktet bazë bujqësore të tilla si: gruri, qumështi ose sheqeri, zakonisht trajtohen në marrëveshjet dypalëshe të lidhura ndërmjet shteteve individuale të EFTA-s dhe vendit partner, në këtë rast Kosovës. Ndërsa, për produktet bujqësore të përpunuara (si supa, kosi ose çokollata), EFTA në parim jep tregti të lirë.

Përveç këtyre, në marrëveshjet e tregtisë së lirë mes vendeve, Dervisholli thotë se trajtohen edhe produktet e origjinës ku në përgjithësi kërkohen rregulla të thjeshta dhe liberale të origjinës për operatorët ekonomikë, pastaj trajtohet lehtësimi i tregtisë, masat sanitare dhe fito sanitare, rregulloret teknike dhe standardet që mund të dërgojnë në barriera teknike në tregti, mjetet juridike tregtare, të drejtat e pronësise intelektuale, rregullat e konkurrencës, dispozitat e tregtisë në shërbime, investimet, prokurimi publik dhe dispozitat që kanë të bëjnë me tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm apo çeshtjet mjedisore.

“Duke marrë parasysh trendet pozitive të eksportit në drejtim të vendeve të EFTA-s dhe veprimet e ndërmarra institucionale të cekura më lartë në drejtim të arritjes së një marrëveshje të tregtisë së lirë me keto vende, është më se e nevojshme që Kosova të vazhdojë edhe më tej angazhimin e saj për të finalizuar këtë marrëveshje”, shkruan tutje Dervisholli.

Ajo shton se një Marrëveshje e Tregtisë së Lirë me vendet e EFTA-s, përveç rëndësisë që ka nga aspekti tregtar dhe ekonomik, do të forconte edhe më tej imazhin dhe pozicionin e Kosovës në raport me partnerët e tjerë tregtar dhe me investitorët e huaj, ata ekzistues dhe potencial. /Buletini Ekonomik/