Kurtishaj: Vendimi për bileta zbatohet vetëm nëse ka subvencionim

Vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës, që fëmijët, studentët, invalidët e luftës e punës dhe pensionistët përfitojnë nga përgjysmimi i çmimit të biletës së autobusëve, po has në reagime nga komuniteti i biznesit në vend që përfaqësohen nga Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).

Për këtë vendim operatorët e transportit të udhtarëve iu janë drejtuar Gjykatës Themelore e që sipas tyre ministria ka bërë shkelje ligjore, duke mohuar ligjet e Kosovës që parasheh operimin si treg i lirë.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishaj, tha se vendimin e ministrisë po e kundërshtojnë, pasi që ai është kundërligjor dhe po e presin vendimin e gjykatës.

Reklama e sponzorizuar

“Ne kërkojmë dialog, është dashur që zëvendësministri të na thirr në takim të konsultimit. Nuk kemi pasur rrugë tjetër pos gjykatës”, tha Kurtishaj  sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Ai ka kërkuar të subvencionojë derivatet e naftës për transportuesit e udhëtarëve. “Sa më parë duhet të anulohet ky vendim, nëse nuk ka mbështetje do të ketë falimentim të bizneseve. Ne nuk do të respektojmë këtë vendim, jemi duke e pritur vendimin e Gjykatës. Operatorët janë të gatshëm edhe për masa të tjera duke mos përjashtuar edhe protestat”, theksoi ai.

Kurtishaj vlerësoi se nëse ndërhyrhet vetëm në një sektor, në këtë rast tek transporti i udhëtarëve është padrejtësi e madhe. “Pse ministria nuk ndërhyhet tek çmimi i taksive, ose pse nuk ndërhyn tek transportuesit ilegal që bartin udhëtarë në drejtim të Ferizaj, Mitrovicës etj”, deklaroi ai.

“Pse qeveria nuk po ndërhynë të përgjysmuar çmimin tek vaji, tek buka, tek çmimet e barnave, apo pse nuk po ndërhyn tek çmimet në konvikte”, tha Kurtishaj.