Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë gjatë vitit që e lamë pas, patën arritur deri në mbi 400 milionë euro. Vetëm deri në fund të muajit shtator 2021, vlera e Investimeve të Huaja Direkte kishte arritur në 389 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 254 milionë eurove të regjistruar vitin e kaluar, pra deri në shtator 2020, gjithmonë sipas vlerësimeve dhe përllogaritjeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Top 5 vendet kryesore të cilat investuan më së shumti në Kosovë gjatë 2021-s, ishin: Gjermania, Zvicra, SHBA-të, Shqipëria dhe Austria, përcjell Buletini Ekonomik.
Ndërkohë, Top 5 sektorët ku u destinuan më së shumti këto Investime të Huaja Direkte gjatë vitit 2021, ishin: Aktivitetet e patundshmërisë, Aktivitetet financiare dhe ato të sigurimit, Aktivitete e Informacionit dhe komunikimit, fusha e ndërtimtarisë, si dhe Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike.
Gjatë kësaj periudhe (shtator 2021) rritjen më të lartë kishin shënuar IHD-të tek investimet në patundshmëri, të cilat shënuan vlerën prej 265 milionë eurove, në krahasim me vlerën prej 129 milionë eurove të regjistruar deri në fund të shtatorit 2020, ndërsa shprehur në përqindje, kishte një rritje prej 106 përqind.
Ndërkohë, investimet në sektorin e shërbimeve financiare, qëndruan në rreth 87 milionë euro, në krahasim me vlerën prej rreth 67 milionë euro të regjistruar gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.
Tutje, vlera e IHD-ve këtë vit, në krahasim me vlerën e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë viteve të kalura është shumë më e lartë. Kështu, përderisa për periudhën janar-shtator 2021 IHD-të ishin në vlerën e 389 milionë eurove, në të njëjtën periudhë të vitit 2020, ishin 254.3 milionë, më 2019 ishin 216.4 milionë, më 2018 ishin 192.9 milionë, kurse në vitin 2017 ishin 213.1 milionë euro investime të huaja. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/