Qeveria e Kosovës po reagon me vonesë dhe pa takt ndaj krizave, me të cilat së fundi po përballet Kosova, qoftë atë energjetike, apo tani me atë të rritjes së çmimeve, tha deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, teksa prezantoi temën për të cilën u thirr seanca e jashtëzakonshme parlamentare që po mbahet të martën.
“Rritja e çmimeve është bërë pandemi e dytë. Nuk ka produkt të cilit nuk i ka lëvizur çmimi. Inflacioni mbetet një nga kërcënimet kryesore të rimëkëmbjes së shpejt dhe të rënies së fuqisë blerëse për qytetarët tanë”, tha deputetja Bajrami.
Partitë opozitare: Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thirrur seancën e jashtëzakonshme parlamentare për rritjen e çmimeve.
Deputetja Bajrami tha se Qeveria e Kosovës ka shkelur Kushtetutën, duke ndërhyrë në tregun e lirë, me qëllim që të zbusë ndikimin e rritjes së çmimeve.
“Duhet të menaxhoni me kriza të tilla. Me ndërhyrjet tuaja po shkaktoni dëme – ekonomisë dhe qytetarëve, duke maksimalizuar dëmet”, tha ajo.
Ndërkaq, ajo përmendi rritjen e çmimeve të karburanteve dhe të vajit. Te rasti i fundit, ajo pranoi se disa kompani e kanë keqpërdorur situatën, por tha se ekzekutivi nuk duhet ta godasë të gjithë sektorin privat.
“Ngritja e çmimit të karburanteve ndikoi që brenda disa ditësh të kemi ngritje eksponenciale për shumë artikuj që janë esencial për jetën e qytetarëve. Sa i përket rritjes së çmimeve të karburanteve, disa vende hoqën apo zvogëluan akcizën, bashkë me të edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për t’u dalë sadopak në ndihmë qytetarëve. Qeveria jonë nuk bëri asgjë. Qeveria e mori një vendim për marzhën e kufizimit të përfitimit për naftëtarët 4 dhe 6 për qind”, tha Bajrami.
Bajrami kritikoi edhe reagimin e Qeverisë për krizën energjetike dhe tha se këtë muaj do të ndihet pesha e rritjes së tarifave të energjisë elektrike dhe e ftoi që të marrë praktikat e shteteve në rajon që qytetarët ta tejkalojnë më lehtë krizën me energjinë dhe rritjen e çmimeve.
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, kritikoi opozitën se po tenton që ta paraqesë ekzekutivin si joaktiv ndaj ngjarjeve që po ndodhin në Kosovë dhe botë.
Ajo tha se kriza që ka goditur botën për shkak luftës në Ukrainë, pashmangshëm që e ka prekur Kosovën.
“Është e padrejtë që të akuzohet kjo Qeveri për mosaktivitet apo mosreagim”, tha Kusari-Lila.
Duke folur për rritjen e çmimeve të vajit dhe produkteve të tjera ushqimore nga disa operatorë ekonomikë, Kusari-Lila tha se “ato kompani i bënë ato lëvizje për përfitime komerciale, ju sot po e bëni këtë debat për përfitim politik”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Qeveria nuk ka plan për ta zbutur krizën ekonomike. Sipas tij, lufta në Ukrainë ka krijuar çrregullime në treg, por, sipas tij, ekzekutivi duhet të gjejë zgjidhje.
“Nuk keni plan për këtë situatë”, iu drejtua Krasniqi Qeverisë, duke shtuar se bazuar në situatën e krijuar, Qeveria duhet të rrisë me urgjencë rezervat shtetërore.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kërkojnë reduktimin e akcizës, të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për lëndën e parë, në mënyrë që kriza të tejkalohet.
Ai tha se Kosova është duke u përballur me rritjen më të madhe të inflacionit brenda vitit.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shkurt, 2022, me muajin shkurt, 2021, ishte 7.5 për qind.
Abdixhiku e akuzoi Qeverinë e Kosovës se nuk po e sheh që ka krizë dhe tha se ekzekutivi “nuk ka se si ta zgjidhë atë”.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se rritja e çmimeve është trend global, por ai tha se kritika qëndron se Qeveria ka ndërmarrë masa jo të duhura.
“Ne sot kërkojmë llogari nga një Qeveri që ka fituar mbi 50 për qind të votave, e cila nuk ka marrë asnjë masë, apo thënë më troç ka marrë masat më të ‘lodhta’ në Ballkanin Perëndimor”, tha Tahiri.
Ai tha se në rezolutën e propozuar, AAK-ja ka paraqitur masa konkrete, siç është ulja e akcizës dhe e TVSH-së, që sipas tij, mund të jenë masa të përkohshme.
Së fundmi, çmimet e produkteve ushqimore, të disa shërbimeve dhe çmimet e naftës kanë shënuar rritje. Një litër naftë para disa ditësh shitej për rreth 1.70 euro, ndërkaq aktualisht ky çmim është rreth 1.50 euro. Çmimi i vajit më 9 mars ishte ngritur në 3.49 euro për litër nga rreth 2 euro sa ishte më 8 mars. Për shkak të dyshimeve se operatorët ekonomikë po bëjnë veprime për mashtrimin e konsumatorëve, Inspektorati i Tregut në Kosovë tha se ka mbyllur përkohësisht depo të operatorëve.
Për të ruajtur mundësinë nga çrregullimet në treg, Qeveria e Kosovës ka vendosur marzhë tregtare (çmim maksimal) vetëm për derivatet e naftës. Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare duhet të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind.
Po ashtu, ekzekutivi në fillim të marsit ka vendosur që bujqve t’iu subvencionet nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro. /REL/