Ministria e Financave fillon zbatimin e masës 1.6 për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara

Në kuadër të vitit të personave me aftësi të kufizuara siç është shpallur nga Kryeministri i vendit, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve ka marrë Vendim për fillimin e zbatimit të masës 1.6 – Mbështetja e personave me aftësi të kufizuara, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Përmes kësaj mase, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të ofrojë mundësinë që personat me aftësi të kufizuara të ndjekin trajnime për zhvillimin e mëtutjeshëm të shkathtësive të tyre. Pra, në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes trajnimit në punë (on the job training) mundësohet që të trajnuarit të kenë mundësi më të mira punësimi.

Reklama e sponzorizuar

“Gjithashtu, kjo masë pritet të shërbejë si nxitje për punësimin e qëndrueshëm, pasi që pas trajnimit, MFPT vazhdon të ofrojë mbështetje financiare për të trajnuarit që fillojnë marrëdhënie të rregullt pune me bizneset ku i kanë ndjekur trajnimet”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Masa implementohet në bashkëpunim me OJQ-të, të cilat do të bëjnë përshtatjen e të të trajnuarve dhe biznesit ku zhvillohet trajnimi. Sipas masës 1.6, mbështetja financiare përgjatë kohës së trajnimeve, që përbënë një fazë 3 deri në 6 mujore, është si vijon:

Të trajnuarit përfitojnë 170 euro në muaj, ndërsa bizneset përfitojnë nga 100 euro në muaj për person. Pas fazës trajnuese, biznesi dhe i trajnuari mund të lidhin marrëdhënie të rregullt pune, e cila po ashtu do të subvencionohet nga shteti, ku për punësim, mbështetja do të jetë 270 euro në muaj për punëtor, për 6 muajt pasues.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton të gjitha OJQ-të që fushëveprimtari kanë mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara, se mund të aplikojnë për të qenë implementuese të masës, dhe se përzgjedhja do të bëhet duke u bazuar në kriteret e përcaktuara në Vendimin e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve Nr. 19/2022, si dhe në thirrjen e hapur për bashkëpunim, sipas vegëzave në vijim:

https://mf.rks-gov.net/desk/inc/media/01415B70-161E-4B60-ADD1-35F67326A71E.pdf

https://mf.rks-gov.net/desk/inc/media/8A1070E7-AB57-424D-91D6-909A01BCDF9F.pdf