Ministria e Financave lanson formularin për subvencionimin e policave kufitare

Ministria e Financave ka njoftuar se ka lansuar formularin elektronik për subvencionimin e policave kufitare për bashkatdhetarët për vitin 2022.

Ndryshe nga herët e kaluara, këtë vit subvencionimi për polica kufitare do të bëhet duke rimbursuar bashkëatdhetarët me vlerën e plotë të primit që kanë paguar në kufi, përcjell Buletini Ekonomik.

Aplikimin për rimbursim mund ta bëjnë të gjithë bashkatdhetarët që kanë paguar policën kufitare nga data 1 janar 2022, përmes aplikimit në vegëzën në vijim: https://masa4-5.rks-gov.net.

Reklama e sponzorizuar

Nga ministria njoftojnë se në formën elektronike duhet të plotësohen të dhënat personale, të dhënat për policën dhe automjetin, si dhe të dhënat bankare të përfituesit në një bankë në Kosovë.

Në këtë rast, përfitues mund të jetë edhe familjari që jeton në Kosovë.

Aplikimet pritet të shqyrtohen dhe verifikohen në baza mujore dhe vlera e rimbursimit të policës kufitare do të transferohet në llogarinë bankare të përfituesit në fund të çdo muaji.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve synon që të lehtësojë barrierat për mërgatën tonë, deri në një zgjidhje të përhershme për Kartonin e Gjelbër”, thuhet në njoftimin e MFPT-së. /Buletini Ekonomik/