Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari është duke raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me punën e ministrisë për vitin 2021 dhe planin e punës për vitin 2022.
Hajdari ka theksuar se plani i ministrisë që ajo udhëheqë, për vitin 2022, përfshinë 6 prioritete strategjike, ose objektiva strategjike, në bazë të të cilave do të realizohet plani i punës për këtë vit.
Ajo, si disa prej objektivave kryesore të planit ministror, përmendi pesë objektivat strategjike, siç janë:
-Përmirësimi i mjedisit të të bërit biznes,
-Zhvillimi i politikave industriale dhe tregtare,
-Zhvillimi i ndërmarrësisë, inovacionit dhe pronësisë industriale,
-Zhvillimi i qëndrueshëm nëpërmjet turizmit, promovimi dhe përkrahja e investimeve, si dhe
-Përmirësimi i infrastrukturës së cilësisë, duke përfshirë edhe mbrojtjen e konsumatorit, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas Hajdarit, çështja e Mbrojtjes së Konsumatorit na ndihmon edhe në diskutimet e çështjeve rreth manipulimeve me çmime nga tregtarët në këtë kohë krize, të cilat sipas saj, po inspektohen nga Dogana dhe ATK-ja. Këtij procesi pritet që t’i bashkangjitet edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), pas funksionalizimit të Bordit menaxhues. Gjithashtu në këtë proces, do të marren parasysh edhe të dhënat që dalin nga Inspektorati i Tregut dhe nga raportimet që janë bërë nga qytetarët në Departamentin e Mbrojtjes së Konsumatorit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Tutje, ministrja Hajdari përmendi edhe 11 ligje që tashmë janë miratuar nga Qeveria e Kosovës në këtë fushë, e që disa prej tyre edhe janë aprovuar edhe në parlament, të cilat janë si në vazhdim: Projektligji për tregtinë me produkte të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme, projektligji për inspektimet, projektligji për mbrotjen e konkurrencës, projektligji për tregtinë me jashtë, projektligji për turzimin, projektligji për punimet nga metalet e çmuara, projektligji topografitë dhe gjysmpërquesve, projektligji dizajnin industrial dhe projektligji për patentat, për markat tregtare, dhe projektligji për sekretet tregtare.
Ndërsa në procedurë të miratimit, Hajdari njoftoi se janë edhe projektligji për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, projektligji për zonat ekonomike, projektligji për rezervat e detyrueshme të naftës dhe projektligji për ndërmarrësi dhe inovacion, pra projektligje që aktualisht janë në shqyrtim të brendshëm. /Buletini Ekonomik/