Në prag të mbjelljeve pranverore, MBPZHR-ja do të organizojë këshillime për fermerët e vendit

Sektori i bujqësisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) edhe sivjet ka paraparë që para fillimit të fushatës së mbjelljeve pranverore, të mbajë këshillime me bujqit dhe fermerët anë e mbanë Kosovës.

Në këto këshillime, ekspertët e angazhuar nga kjo ministri do t’i këshillojnë për së afërmi bujqit kosovarë për mënyrën e mbjelljes sa më efikase dhe më produktive të të mbjellave. Do të këshillohen edhe për farërat që janë më të preferuara për mbjelljet pranverore, qoftë në bimësi-drithëra, qoftë për llojet e farërave të misrit si dhe për rasadet e farërat e ndryshme për perimtari.

Në MBPZHR theksojnë se Departamenti i shërbimeve këshilluese dhe Teknike, ka në planprogramin e saj vjetor për vitin 2022, ofrimin e këshillave dhe trajnimeve për fermerët (vazhdon sipas viteve), e që në organizimin e trajnimeve përveç zyratrëve aktivë në Institucionin publik, janë të përfshirë edhe MBPZHR/DSHKT/QKIK, edhe me projekte.

Reklama e sponzorizuar

“Në këtë vit kalendarik përveç projekteve tjera, me procedurën e prokurimit kemi planifikuar projektin njëvjeçar, i financuar nga Qeveria e Kosovës “Zhvillimi i zonave rurale përmes avancimit te shërbimeve këshilluese”, ku planifikohet të përfitojnë këshilla dhe trajnime mbi 10.000 fermerë”, thuhet në përgjigjet e ministrisë.

Ata gjithashtu thonë se Departamenti për Shërbime Këshillimore dhe Teknike i koordinon aktivitetet e tij me Qendrat këshilluese informative komunale me 40 zyrtarë/këshilltarë për bujqësi dhe zhvillim rural.

Specifikisht, siç thonë nga kjo ministri, në Departamentin e shërbimeve këshilluese dhe Teknike, me organogram të Departamentit janë të punësuar 17 punëtorë/zyrtarë në nivelin qëndror, të integruar me paga mujore, prej tyre 8 zyrtarë komunal të pjesës veriore të minoritetit serb që veprojnë në kuadër të Departamentit të shërbimeve këshilluese dhe teknike nga viti 2013, si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit.

Ndërkohë, në nivelin lokal shërbimet këshilluese janë të organizuara me 38 Qendra këshilluese informative komunale me 40 zyrtarë/këshilltarë për bujqësi dhe zhvillim rural. 40 këshilltarët komunal për bujqësi dhe zhvillim rural ofrojnë bashkëpunim me projekte me aktivitete këshilluese por nuk janë të integruar me paga në MBPZHR. (Blendrita Avdiu) /Buletini Ekonomik/