Rahoveci, tradicionalisht ka qenë dhe vazhdon të jetë epiqendra e kultivimit të rrushit dhe njëkohësisht e verëtarisë kosovare. Aktualisht, në Rahovec dhe rrethinën e tij, prodhojnë verëra të ndryshme për tregun vendor dhe për eksport 20 verëtarë.
Tashmë verërat e rahovecianëve janë bërë të njohura dhe të kërkuara në tregun vendor të verërave, por edhe jashtë vendit, madje në goxha shumë shtete të Evropës dhe të botës. Në saje të ngritjes së dëshmuar të cilësisë së verërave të Rahovecit, të arrirë nga përvoja tradicionale e vreshtarëve të këtushëm, nga modernizimi i pajisjeve për prodhimin e verërave dhe të hapësirave të ambienteve në bodrumet rahoveciane, tashmë verërat e këtij rajoni të Kosovës, janë bërë të kërkuara shumë më shumë, jo vetëm në tregun vendor, por edhe në Shqipëri, Kroaci, Slloveni, Gjermani, Angli, Austri, Belgjikë, Zvicër, SHBA dhe madje edhe në Nigeri.
Verërat e Rahovecit janë imponuar në treg në saje të cilësisë së rrushit, në radhë të parë, por edhe modernizimit të pajisjeve dhe bodrumeve të verërave të këtushme, përmbushjes qind për qind të standardeve të BE-së, ambalazhimit shumë më joshës dhe më atraktiv, por edhe në saje të promovimeve të ndryshme në panaire, ekspozita dhe manifestime të ndryshme të organizuara nëpër vende të shumta të botës.
Verëtarët rahovecianë ka kohë që në proceesin e prodhimit të verërave të tyre kanë eliminuar fare plastikën dhe enët nga plastika. Ata, përdorin ekskluzivisht enët nga xhami dhe inoksi.
Ndër 20 prodhuesit e verërave të Rahovecit, tashmë ka shumë verëtarë që kanë fituar çmime prestigjioze në prodhimin e verërave, medale dhe mirënjohje të ndryshme ndërkombëtare.
Veraria e “StoneCastle” në zemër të Rahovecit, tashmë e njohur përtej tregut të Kosovës, që është pronë private e familjes Gecaj, përfshin më shumë se 2, 247 hektarë tokë dhe vreshta premium. Veraria është ndërtuar në vitin 1952 dhe që nga viti 2006 është nën pronësinë dhe operimin e familjes Gecaj dhe suksesivisht është rritur dhe është modernizuar ndër vite.
Verërat e kësaj verarie, që në bazë të kapacitetit të magazinës dhe vreshtave në vetë-pronësinë e saj (me kapacitet përpunimi rreth 70,000 tonë të rrushit dhe me kapacitet prodhimi 12 milionë litra verë në vit), vlerësohet të jetë njëra nga veraritë më të mëdha në rajon dhe më gjërë, ku produktet e saja tashmë gjenden në shumë tryeza të familjeve në Europë dhe botë. /Buletini Ekonomik/