Neglizhimi i regjistrimit të popullsisë, pa shkak dhe pa asnjë arsye

Të heshtet, ose edhe të mendohet të shtyhet procesi i regjistrimit, kot më kot, pa asnjë arsye për të qenë, është e pakuptueshme dhe e diskutueshme, aq më parë që dihet rëndësia e këtij procesi. Në vendin tonë, shtyrja e regjistrimit më 2021, u bë fare lehtësisht me arsyetimin e ekzistimit të pandemisë, por edhe të zgjedhjeve. Sivjet, fillimisht theksohej si shkak mungesa e Ligjit për regjistrimin, ndërsa tani kur ky ligj është në procesin e miratimit (është miratuar në Kuvend në lexim të parë), po mbretëron heshtje institucionale.

Mehmet GJATA

Është fare i pakuptueshëm dhe e diskutueshme neglizhenca institucionale, në radhë të parë e Qeverisë aktuale të Kosovës, por edhe e ASK-së për ta azhuruar dhe aktualizuar domosdonë e organizimit brenda këtij viti të Procesit të regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë. Tashmë, pas miratimit në Kuvend në lexim të parë të Ligjit për regjistrimin e popullsisë, janë shtuar ndjeshëm mundësitë që ky ligj të miratohet përfundimisht brenda një kohe të shkurtër, për të shtuar shanset dhe mundësitë që Procesi i regjistrimit të popullsisë, i planifikuar të mbahet më 2021, saktësisht 10 vjet pas regjistrimit të fundit të bërë në Kosovë, të mbahet sivjet.

Reklama e sponzorizuar

Edhe një vit shtyrje eventuale, pra dy vjet vonesë, ose siç vlerësojnë zyrtarët e ASK-së “shtyrja për një kohë të caktuar në aspektin statistikor, nuk paraqet pengesë të madhe në aktivitet e tjera”, mbase nuk është edhe ndonjë dëm që do të shënohej në anale të historisë, por të shtyhet procesi i regjistrimit, kot më kot, pa asnjë arsye për të qenë, është e pakuptueshme, aq më parë që dihet rëndësia e këtij procesi.

Duke e vlerësuar rëndësinë e regjistrimit të popullsisë, Maqedonia e Veriut, pa u hamendësuar shumë, e realizoi këtë proces në vitin e kaluar, pikërisht 10 vjet pas regjistrimit paraprak, edhe pse në këtë vend në kohën kur u realizua ky proces “vlonte” pandemia. Në vendin tonë, shtyrja e regjistrimit më 2021, u bë fare lehtësisht me arsyetimin e ekzistimit të pandemisë, por edhe të zgjedhjeve. Sipas zyrtarëve të ASK-së, regjistrimi u shty, me rekomandime të asociacioneve kompetente ndërkombëtare, siç është Eurostati, për shkak të përhapjes së pandemisë edhe në vendin tonë, por edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre lokale, të cilat ishin të parapara të mbahen po në këtë vit.

“Rëndom, kur ka kauza të rëndësishme, sikundër janë zgjedhjet, por edhe në rastet siç ndodhi me pandeminë, as nga ekspertë, as nga institucionet kompetente vendore, por edhe ndërkombëtare nuk preferohet të mbahet regjistrimi i popullsisë” i thanë Buletinit Ekonomik zyrtarët e ASK-së.

Në këtë mënyrë, vjet me një konsensus, qoftë të heshtur, qoftë edhe të bërë publik, ndërmjet Qeverisë dhe ASK-së, u shty procesi i regjistrimit dhe u mendua për t’u mbajtur sivjet, më 2022. Ndërkohë, shtyrjen e regjistrimit të popullsisë më 2021, e patën kontestuar ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve demokrafike në vend.

Sipas demografëve, vonesa e regjistrimit të popullsisë ka ndikim te të gjitha planet dhe planifikimet e institucioneve shtetërore. Së pari ka ndikim te buxheti, sepse numri i popullsisë sipas komunave ndikon në përcaktimin e grantit financiar qeveritar për nevojat e komunave të Kosovës. Në Kosovë, për shkak të tendencave të ditura për migrim të madh të popullsisë, një regjistrim i pavonuar më, do të sqaronte dhe saktësonte shumë numrin e kosovarëve që kanë ikur nga Kosova që nga viti 2011, gjegjësisht do të ishte referencë e pakonstestueshme për demografë, politikanë dhe zyrtarë kompetentë për përcjelljen e lëvizjeve të popullsisë.

Regjistrimi i popullsisë, siç dihet ishte i planifikuar të mbahet më 2021, saktësisht 10 vjet pas regjistrimit të fundit të bërë në Kosovë, por me arsyetime të ndryshme është shtyrë për sivjet. Në Kosovë, sikundër në shumicën e vendeve të Ballkanit (Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci dhe Serbi), regjistrimi i fundit i popullsisë është realizuar në vitin 2011. Sipas të dhënave të ASK-së të dala nga ky regjistrim , popullsia e përgjithshme rezidente e Kosovës në fund të vitit 2019, ka qenë 1.782,115 banorë. Në regjistrimin e vitit 2011 nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë ( Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Duhet theksuar se në favor të mbajtjes së regjistrimit të popullsisë gjatë këtij viti, flet edhe fakti se ka zënë ndjeshëm të bie numri i të infektuarve me COVID dhe të zbuten përmasat e pandemisë, që do të thotë se nuk do të ketë rrezik për shëndetin e popullsisë dhe me sa dihet nuk ka ndonjë kauzë që do ndikonte në shtyrjen e mëtejshme të regjistrimit, nuk ka fare zgjedhje as fushata zgjedhore.

Në anën tjetër, në Agjencinë e Statistikave të Kosovës pa shpjeguar shumë detaje, kanë thënë për Buletinin Ekonomik se ASK-ja ka bërë përgatitjet e nevojshme dhe pas caktimit të datës, do të fuqizohen grupet punuese me staf tjetër nga institucioni dhe nga jashtë tij. Po kështu, sipas zyrtarëve të ASK-së, edhe në aspektin teknik janë përgatitur të gjitha instrumentet e nevojshme, sado që në përgjigjet me shkrim në interesimin e Buletinit Ekonomik, zyrtarët e ASK-së nuk kanë specifikuar konkretisht se cilat janë përgatitjet që i ka përfunduar në tërësi stafi i ASK-së dhe çka ka mbetur në kuadër të përgatitjeve për t’u bërë ende.

“ASK-ka ka bërë planet, dokumentet dhe ka përgatitur strategjinë e komunikimit është përgatitur dhe do të përdoren të gjitha instrumentet e nevojshme për një komunikim të mirëfilltë” thotë për Buletinin Ekonomik, Avni Kastrati, drejtor i Departamentit të Statistikave Sociale/Popullsisë.

Sidoqoftë, sipas ASK-së, ata janë duke pritur që Ligji për Regjistrimin e Popullsisë të kalojë në leximin e dytë dhe pas kësaj, të përcaktohet data nga ana e Qeverisë. Në ASK, madje nuk shohin ndonjë problem të theksuar, në rast të shtyrjes eventuale edhe për një vit tjetër të procesit të regjistrimit.

“Në aspektin statistikor, shtyrja për një kohë të caktuar nuk paraqet pengesë të madhe në aktivitet e tjera, por shumë e rëndësishme është që Regjistrimi të jetë cilësor (kualitativ) dhe të përfshihet e gjithë popullsia”, ka thënë Kastrati për Buletinin Ekonomik.

Sipas tij, prej të gjitha aktiviteteve statistikore, Regjistrimi i Popullsisë kërkon vëmendje të caktuar dhe duhet të vlerësohen të gjitha kushtet, me qëllim që të ketë pjesëmarrje të plotë dhe kualitet. Rreth risive eventuale që do ta karakterizonin regjistrimin e pritshëm dhe që do ta veçonin nga regjistrimi paraprak, ose ndryshimit eventual të metodologjisë tradicionale, Kastrati ka shpjeguar se “regjistrimi pritet të bëhet, duke i grumbulluar të dhënat drejtpërdrejt/direkt nga anëtarët e ekonomive familjare përmes tabletave”. Sipas tij, regjistrimi pritet të zgjasë 1 muaj në terren, ndërsa tashmë Qeveria ka siguruar mjetet e nevojshme. Pritet të angazhohen rreth 3500 regjistrues dhe rreth 700 mbikëqyrës. Ndërsa, për shkak të metodës së grumbullimit me tabletë, të dhënat paraprake dhe finale do të publikohen shumë më herët se ato nga viti 2011, thotë Kastrati.

Siç kanë theksuar zyrtarë e ASK-së për Buletinin Ekonomik, stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës është fare i gatshëm që ta realizojë regjistrimin edhe gjatë këtij viti, po qe se rekomandohet nga institucionet ligjvënse dhe ekzekutive të vendit. Ta thonë se planifikimi i regjistrimit tashmë është kyer, plani i aktiviteteve të pritshme është në proces, ndërsa po punohet edhe për ta përgatitur sa më mirë fushatën senzibilizuese.

Regjistrimi i popullisisë më 2011 pati zgjatur 2 javë, hiq disa komuna që për shkak të vështirësive konkrete, kjo kohë ishte zgjatur në një muaj. Tani, regjistrimi i radhës planifikohet të zgjasë 1 muaj, sado që ka ndryshuar goxha shumë metodologjia e regjistrimit. Edhe në regjistrimin e pritshëm, do të aplikohet metodologjia tradicionale-derë më derë. Por, tani në vend të pyetsorëve me letër siç ishte bërë me 2011-tën, do të aplikohen pyetësorët elektronik. Secili regjistrues do ta ketë tabletin e vet për regjistrim dhe secili regjistrues do të monitorohet nga qendra monitoruese në ASK (GIS). Pos mbledhjes së të dhënave, në këtë regjistrim risi do të jenë edhe hartat digjitale të qarqeve regjistruese.

Regjistrimi i radhës do të jetë i fokusuar në regjistrimin e popullsisë, ekonomive familiare dhe të banesave. Ndërsa, regjistrimi i zhvillimeve në bujqësi do të jetë më i gjithanshëm dhe më shumë detaje do të regjistrohen në regjistrimin enkas për bujqësinë e Kosovës, që planifikohet të mbahet pas publikimit të të dhënave nga regjistrimi i popullisë. Kostoja e përgjithshme e regjistrimit llogaritet të jetë 11.5 deri në 12 milionë euro, apo rreth 6.5 euro për person.

Me metodologjinë e re, që do të aplikohet në regjistrimin e pritshëm, do të shkurtohet ndjeshëm publikimi i rezultateve paraprake dhe ato finale të regjistrimit. Mendohet, siç theksojnë zyrtarët për informim në ASK, që rezultatet finale të bëhen publike brenda disa muajsh në vend të 1,5 vjet e më shumë sa ka zgjatur bërja publike e statistikave finale të dala nga regjistrimet e kaluara.

Tashmë, pas miratimit në Kuvend në lexim të parë të Ligjit për regjistrimin e popullsisë, përkatësisht janë evidente dhe të shpërfaqura edhe mundësitë që ky ligj të miratohet përfundimisht brenda një kohe të shkurtër. Dhe kjo do të thotë, që ekzistojnë konditat reale për ta përmbyllur sivjet këtë proces.

ASK-ja duhet insistuar për këtë, e ka edhe detyrë dhe përgjegjësi për t’i realizuar regjistrimet e popullsisë në çdo 10 vjeçar, ndërsa institucionet shtetërore duhet ta kërkojnë dhe ta përkrahin gjithanshëm procesin e regjistrimit, duke insistuar që të mbahet domosdo sa më shpejt gjatë këtij viti. Nuk qëndron asnjë shkak, as arsye që të shtyhet edhe më tej ky proces aq i rëndësishëm për vendin. /Buletini Ekonomik/