Nga 10 deri në 12 milionë euro në vit paguajnë më shumë kosovarët për ilaçe krahasuar me banorët e vendeve të rajonit. Kjo, jo për shkak se qytetarët e Kosovës përdorin më shumë ilaçe, por kostoja e produkteve farmaceutike në Kosovë është shumë më e lartë se në vendet e regjionit, konfirmojnë zyrtarë të Odës së Farmacistëve për emisionin ‘Udhëve’ në RTK.
Në mungesë të një rregulli që do të duhej ta bënte Ministria e Shëndetësisë e që do të unifikonte çmimin e ilaçeve si dhe marzhën e fitimit nga të gjitha barnatoret në Kosovë, qytetarët paguajnë ilaçet me çmime të ndryshme nga njëra barnatore në tjetrën. Po ashtu, dallimi në koston e ilaçeve është shumë i madh ndërmjet Kosovës dhe vendeve të rajonit.
“Kur flasim për ndryshim çmimi, nga një kalkulim është parë se ndryshimi në Kosovë i çmimit të barnave në raport me sasinë që qarkullojnë është 10 – 12 milionmë euro në vit që në fund e paguan konsumatori”, ka thënë Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve.
Redaksia hulumtuese e emisionit ‘Udhëve’ në RTK, ka siguruar një llager listë zyrtare, nga e cila barnatoret mund të bëjnë direkt porosinë e produkteve përmes një platforme online të krijuar nga depot farmaceutike.
Lista përmban mijëra produkte farmaceutike të regjistruara në Kosovë, bashkë me çmimet me të cilat furnizohen barnatoret. Aty nuk është llogaritur TVSH-ja e as marzha e fitimit nga barnatoret.
Mosunifikimi i çmimit të ilaçeve, stimulon tregun e zi farmaceutik
Produkti Lopril H, është një ilaç që përdoret për të sëmurët kronikë me hipertension. Çmimi me të cilin furnizohen barnatoret në Kosovë me këtë ilaç është 3.8 euro, pa e llogaritur TVSH-në e as marzhën e fitimit. Në treg, çmimi i këtij ilaçi sillet nga 3.8 deri në 4.5 euro.
Por, i njejti produkt në Shqipëri tregtohet shumë më lirë. Atje, qytetarët mund ta blejnë për vetëm 178 lekë, që i bie 1.46 euro.
Po ashtu, redaksia e emisionit ‘Udhëve’ ka siguruar edhe një lager listë ilegale, përmes të cilës furnizohen barnatoret me ilaçe në të zezën. Produkti Lopril H, në të zezën mund të porositet nga barnatoret me çmim prej vetëm 1.69 euro.
Blerja e ilaçeve në mënyrë ilegale për qarkulluesit me pakicë, u mundëson shpesh farmacive që këtë produkt ta shesin shpesh nën çmimin e blerjes nga lista legale sikurse edhe në rastet kur farmacitë përfitojnë nga blerja e sasive më të mëdha si dhe nga përfitimi i rabatit.
Kryetari i Odës së Farmacistëve Arianit Jakupi, ka thënë se ky është vetëm një shembull i dallimit të çmimeve, por ka raste kur dallimet janë nga 2 deri në 7 euro për produktin e njejtë. Andaj, ai ka thënë se po kërkojnë vazhdimisht rregullimin e çmimit të barnave.
“Sot qytetarët në Kosovë si pasojë e kësaj blejnë barna më shtrenjtë se në Serbi, se në Maqedoni e se në Shqipëri. E sidomos, mos të krahasojmë me Turqi ku shumëfish janë më shtrenjtë në Kosovë se në Turqi”, ka thënë farmacisti Visar Ademi.
Sipas tij, çmimet duhet të jenë të unifikuara për gjitha barnatoret e Kosovës, pasi kjo do të krijonte konkurrencë profesionale brenda barnatoreve, që shihen më shumë si biznes se sa si institucione ku ofrohen shërbime shëndetësore.
“Kjo do të kishte mundësuar që qytetarët të blejnë barna të njëjta me çmime të njëjta dhe do të ketë konkurrencë profesionale, ku qytetari nuk shikon çmimin por shërbimet, atëherë veçohet konkurrenca profesionale jo ajo që sot flasim vetëm për konkurrencë tregtare”, thotë Ademi.
Krahasimi i çmimeve: Ilaçet në Kosovë shumë më shtrenjtë se në vendet e regjionit
Emisioni Udhëve ka krahasuar edhe çmimet e disa produkteve tjera të regjistruara në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni Veriore.
Një Aspirin Plus C, në Kosovë ka çmim të furnizimit prej 4.05 euro për barnatoret, pa e llogaritur TVSH-në. Me çmim shumë më të lirë, prej 327 lekë (2. 69 Euro), në Shqipëri i njëjti produkt del në treg. Çmimet atje, sikurse edhe në gjitha vendet e rajonit dhe Evropës janë të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe barnatorja nuk mund t’i ndryshojë, pasi ato janë të përshkruara edhe në banderolë.
Në Maqedoninë Veriore një produkt Aciklovir shitet për 76.11 denarë (1.24 Euro) kurse çmimi i furnizimit të barnatoreve në Kosovë me të njëjtin produkt, pa TVSH është 3 euro.
Është produkti Curciks që në Kosovë iu ofrohet barnatoreve me çmim furnizimi prej 3.44 euro, kurse në gjithë Shqipërinë ky produkt nga pacientët mund të blihet në barnatore shumë më lirë, për vetëm 156 lekë. (1.28 Euro)
Ilaçi Doreta në Kosovë çmimin e furnizimit për barnatoret e ka 3.33 euro, pa llogaritur TVSH-në, kurse në Shqipëri ky produkt nxirret në treg për 162 lekë (1.33 euro) kurse në Maqedoninë e Veriut ka një çmim prej 169.18 denarë (2.75 euro).
“Sigurisht se e njëjta që ndodhë në sektorin privat të shëdetësisë ndodhë edhe me listën e barnave esenciale sepse nuk ka kurrfarë kontrolli”, ka thënë Arianit Jakupi nga Oda e Farmacistëve, sipas të cilit, mungesa e një normative për unifikimin e çmimit të ilaçeve lë mundësi të hapur që të abuzohet në vendosjen e çmimeve në Kosovë, duke pasur dallime të mëdha nga njëra barnatore e lagjes në tjetrën, për të njëjtin produkt.
Udhëzimi që nuk u zbatua asnjëherë
Faik Hoti, Drejtor për Informim në Ministri të Shëndetësisë ka thënë se në vitin 2019 kishte hyrë në fuqi një udhëzim administrativ që do të unifikonte çmimin e ilaçeve në treg. Për fat të keq, thotë ai, udhëzimi nuk u jetësua. “Dhe sot e asaj dite çmimi i barnave është i përcaktuar nga konkurrenca e jo me ligj apo Udhëzim Administrativ”. Anulimi i këtij udhëzimi, sipas kreut të Odës së Farmacistëve Arianit Jakupi, ka qenë një nga goditjet më të mëdha që i është shkaktuar sektorit farmaceutik dhe pacientëve në Kosovë në njëzet vitet e fundit.
“Për Ministrinë është me rëndësi që në kuadër të këtij procesi po synon që këtë çështje ta rregullojë me ligj”, ka thënë Hoti, sipas të cilit tashmë veçse ka filluar procesi i draftimit të një ligji që unifikon ilaçet në treg. Ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka thënë se nuk e ka anuluar udhëzimin, por vetëm e kishte reviduar me qëllim të plotësim-ndryshimeve, pasi sipas tij, kishte dilema për zbatueshmërinë e tij.
Ndërkohë, në gjithë këtë proces ishte përfshirë edhe Shoqata e Distributorëve Farmaceutikë.
Milaim Abdullahun, kryetar i Shoqatës së Distributorëve pavarësisht insistimeve të redaksisë së emisionit ‘Udhëve’ nuk ka pranuar të flasë në lidhje me mosunifikimin e çmimit të ilaçeve.
Ndërkohë nga shkresat e siguruara shihet se operatorët kishin deponuar 49 ankesa ndaj vendimeve që ishin marrë nga Komisionit për përcaktimin e çmimeve në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në anën tjetër, pa u definuar çmimet e ilaçeve, nuk mund të mendohet kurrsesi në fillimin e implementimit të Ligjit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Një nga pikat e rëndësishme të sigurimeve shëndetësore është rimbursimi i barnave. Pa u rregulluar çmimi i produkteve medicinale, pjesa e rimbursimit të barnave, nuk mund të rifillojë me Fondin për Sigurime Shëndetësore”, thotë Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve. /RTK/