Lufta Rusi-Ukrainë dhe sanksionet e vendosura kundrejt Kremlinit ka filluar të japë ndikime edhe në ekonominë shqiptare. Për shkak se vendi ynë siguron një pjesë të mirë të importit të drithrave të bukës, e kryesisht grurit nga Rusia, qytetarë të shumtë kanë zgjedhur të blejnë miell në masë nga frika e mbarimit të rezervave në treg por edhe rritjes së çmimit, ndërkohë që janë vënë re jo pak abuzime nga furrat e bukës të cilët kanë nisur të rrisin çmimet pa arsye. Por cili është plani B i Shqipërisë, nëse në rastin më të keq mund të përballet me një situatë të tillë?
Nga kontaktet me prodhuesit e miellit, bëhet me dije se rezervat e kompanive janë të mjaftueshme për të paktën dy muaj për të siguruar jo vetëm furnizimin por edhe çmimin e qendrueshëm të miellit që del nga fabrikat. Nga ana tjetër, burime zyrtare për TV SCAN nga Ministria e Bujqësisë konfirmojnë stokun që kanë kompanitë dhe shprehen se janë evidentuar tregje alternative të blerjes së drithërave të bukës, të cilat do të vendosen në funksion nëse ndërpritet furnizimi nga tregjet aktuale. Franca dhe Kanadaja janë tregjet potenciale që mund të zëvendësojnë Rusinë dhe Ukrainën sa i takon importit të drithërave.
Nga ana tjetër, në vijim të përshkallëzimit të konfliktit Ukrainë-Rusi , Ministria e Financave, edhe pse shprehet se nuk shikohen rreziqe të shtuara për ekonominë shqiptare për shkak të ekspozimit të ulët, bën me dije se do të vijohet monitorimi i kujdesshëm të situatës, për të parandaluar dhe minimizuar çdo efekt negativ, që mund të prekë sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare. Ndërsa vë theksin tek kujdesi që po tregohet që të mos ketë mungesë oferte në treg për grurin dhe nënproduktet e tij.
Në rastet kur vendi ynë importon drithëra me çmime më të larta nga tregje të reja, mekanizmi që ka në dorë Ministria e Financave është që të zbusë ndikimin ekonomik tek konsumatorët, përmes politikave fiskale të veçanta. Shanset që të ndërpriten kanalet e importit janë thuajse zero, megjithatë hallka e fundit që ndërhynja në Rezervat e Shtetit, që sigurojnë kapërcimin e situatave të jashtëzakonshme./SCAN TV/