Pagat e ulëta, orari i stërzgjatur i punës, si dhe pasiguria në vendin e punës, janë disa nga problemet që po largojnë punëtorë nga Kosova drejt vendeve evropiane, thonë përfaqësuesit e punëtorëve në sektorin privat dhe disa punëtorë të anketuar.
Këto probleme të punëtorëve identifikohen kryesisht në sektorin privat në Kosovë, i cili është punëdhënësi më i madh, me më shumë se 220 mijë të punësuar.
Në sektorin publik, ku llogaritet se janë të punësuar më shumë se 80 mijë persona, vlerësohet që kushtet e punës janë më të mira dhe me pagë më të lartë sesa në sektorin privat.
Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.
“Punëtorët në sektorin privat janë të zhgënjyer nga kushtet e punës që u ofrohen në Kosovë. Kushtet e punës në sektorin privat janë në nivelin më të ulët për vite me radhë. Kjo ka bërë që shumë prej tyre të synojnë largimin nga Kosova”, thotë Jusuf Azemi, përfaqësues i punëtorëve në sektorin privat.
Të rinjtë e Kosovës drejt Gjermanisë
Ekipi i REL gjatë bisedave që kishte zhvilluar me disa të rinj, të cilët ishin në pritje për aplikim për vizë pune në Ambasadën gjermane në Prishtinë, kanë theksuar se janë pikërisht kushtet jo të mira të punës që kanë bërë që ata të largohen.
Erijon Shala nga Istogu, 19 vjeç, ishte njëri nga ata i cili synonte të largohet nga Kosovë drejt Gjermanisë, për shkak të pagës së ulët që merrte nga një kompani private, ku ai punonte si automekanik.
“Për më shumë se tetë orë punë jam paguar 15 euro, atje [në Gjermani] do të paguhem 17 euro për orë”, tha Erijoni.
Derisa Erjoni thoshte se po ikte për një pagesë më të mirë, një i ri tjetër i cili nuk dëshironte të identifikohej, thotë se është orari i stërzgjatur i punës dhe puna pa kontratë arsyeje e largimit të tij nga Kosova.
“Kam punuar nga ora 08:00 deri në orën 18:00 gjashtë ditë në javë në sektorin e ndërtimit. Kjo është arsyeja që dua të largohem nga Kosova. Jam paguar për këtë punë 625 euro”, thotë ai.
Ambasada gjermane në Prishtinë ka bërë të ditur se brenda vitit lëshon 5,500 viza pune për aplikimet që bëhen nga qytetarët e Kosovës.
Sipas të dhënave të Ambasadës gjermane, në dhjetor të vitit 2021 kjo ambasadë i ka pranuar 56,639 aplikime, ndërkaq në janar të këtij viti janë gjithsej 48,962 aplikime.
Kushtet jo të mira të punës në sektorin privat ishin identifikuar edhe nga Inspektorati i Punës në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, institucioni primar që përkujdeset për të drejtat e punëtorëve në vend.
Gjatë vitit 2021, Inspektorati ka pranuar mbi 5 mijë ankesa nga palët, të cilët kanë konsideruar se u janë shkelur të drejtat në vendin e punës.
Moslidhja e kontratave të punës, orari i stërzgjatur i punës, mohimi i pushimit vjetor, si dhe pagat e ulëta, janë disa prej tyre.
Agim Millaku, ushtrues detyre i kryeinspektorit në Inspektoratin e Punës, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet përmirësuar kushtet e punës, në të kundërtën punëtorët do të ikin.
“Nëse punëtori e ndien veten të pasigurt në vendin e punës, largohet vetë nga puna. Po ashtu, nëse biznesi nuk është i qëndrueshëm te punëtori reflekton pasiguri dhe në këtë formë ai [punëtori] kërkon alternativa”, thotë Millaku.
Po ashtu, sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës në vitin 2021, nëntë qytetarë kanë humbur jetën në vendin e punës, 40 kanë marrë lëndime të rënda dhe 139 lëndime të lehta.
Në periudhën 2016-2020, 74 qytetarë kanë vdekur në vend të punës, kurse 530 janë lënduar.
Krasniqi ua vë fajin institucioneve për kushte jo të mira të punës
Kushtet jo të mira të punës në sektorin privat, sipas Skënder Krasniqit, kryetar i Odës së Afarizmit në Kosovë, janë jo vetëm për fajin e punëdhënësit, por edhe të Qeverisë së Kosovës.
“Sigurimi shëndetësor e jetësor është përgjegjësi e shtetit jo e biznesit. Këto dhe të tjera po shkaktojnë pakënaqësi të përgjithshme te punëtorët, pavarësisht pagës. Po ashtu, punëtori nuk e ka sigurinë e shtetit kur mbetet edhe i papunë. Të gjitha këto krijojnë pasiguri te punëtori dhe bën që qytetari të largohet se nuk ka as siguri financiare”, thotë Krasniqi.
Ligji për sigurime shëndetësore është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014, por, në fakt, nuk është zbatuar asnjëherë për askënd.
Punë me rrezik, por pa sigurim shëndetësor
Një numër i vogël i qytetarëve të Kosovës është siguruar përmes kompanive private, të cilat ofrojnë sigurime shëndetësore.
Bizneset, shton Krasniqi, janë duke u munduar të krijojnë kushte të mira të punës për të mos iu ikur fuqia punëtore, porse iu duhet përkrahja e shtetit duke krijuar ambient afarist më të mirë për bizneset.
“Janë disa sektorë në Kosovë që duhet të përkrahen për të krijuar kushte më të mira për punëtorët. Sektori i bujqësisë p.sh mund të rrisë pagat e punëtorëve nëse subvencionohet nga shteti”, thotë ai.
Ai thotë nëse nuk merren masa dhe nuk ka një koordinim nga punëdhënësit dhe shteti, Kosova do të mbetet pa fuqi punëtore, gjë e cila më pas do t’i dërgojë bizneset në falimentim.
Qeveria: Largimi i të rinjve nga Kosova, shqetësues
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë për REL se mungesa e kushteve të favorshme të punësimit dhe pamundësia për t’u punësuar në profesionin e tyre kanë ndikuar ndër vite në largimin e të rinjve nga vendi.
Për këtë, shton Kryeziu, për Qeverinë e Kosovës prioritet është punësimi, sidomos i të rinjve dhe grave. Qeveria synon të arrijë këtë përmes nxitjes së investimeve të huaja në vend që do të krijonin vende të reja të punës dhe nëpërmjet reformave në sistemin e arsimit.
Në fund të muajit janar, shton Kryeziu, me vendim të Qeverisë, është themeluar Komisioni Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional kundrejt nevojave të tregut të punës në Kosovë.
“Roli i Komisionit do të jetë shumë i rëndësishëm për reformimin dhe harmonizimin e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesion”, thotë Kryeziu.
Në vitin 2021, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë afro 26 për qind. Krahasuar me vitin paraprak, ka pasur rritje për 0.8 për qind. Shkalla e papunësisë te të rinjtë është 48.6 për qind, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.