Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka shpalosur edhe njëherë disa detaje të projektit më të ri të paralajmëruar nga Qeveria, rreth projektit solar që do ta ndihmojë Termokosin me ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës.
Siç iu referua Rizvanolli këtij projekti, një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë, ai pritet që t’i shtojë kapacitet prej rreth 70MW-ëve sistemit të ngrohjes në Prishtinë.
Sipas paralajmërimeve, projekti në fjalë do të sigurojë edhe kyçjen në rrjetin e ngrohjes qendrore për rreth 12 mijë familje, apo për rreth 60 mijë banorë dhe do ta reduktojë kërkesën për energji elektrike për qëllime të ngrohjes.
Përveç këtyre, sipërfaqja e cila do të destinohet për këtë projekt, do të jetë 69 mijë metra katrorë, në të cilën do të ndërtohet kolektorët diellorë.
Rizvanolli gjithashtu theksoi se “Solar4Kosovo” do ta reduktojë edhe emitimin e dioksidit të karbonit për 40.000 tonë në vit, si dhe do të kontribuojë në diversifikim të miksit të gjenerimit të energjisë së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përmes komponentës së fuqisë fotovoltaike.
Projekti pritet të kushtojë 64 milionë euro dhe do të financohet nga Republika Federale e Gjermanisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim -BERZH. /Buletini Ekonomik/