Shega është njëra nga pemët e cila ka do vite që ka zënë të konsumohet më shumë edhe në Kosovë, megjithë faktin se për rrethanat e konsumatorit tanë, ky frut është goxha i shtrenjtë. Në çmimin e shegës është përcaktues importi i saj. E tërë sasia e shegës e dedikuar për tregun e vendit importohet, kryesisht nga vendet me klimat të ngrohtë (Greqia, Turqia dhe sasi më të vogla edhe nga Mali i Zi).
Blendrita Avdiu
Aktualisht një kilogram i shegës nëpër dyqanet në kryeqytet sillet prej 1 euro e 79 centë deri në 1 euro e 99 centë.
Duke u bazuar në vizitat që ka bërë Buletini Ekonomik nëpër dyqanet e pemëtarive dhe markete që shesin pemë, është parë se shegë ka mjaftë dhe janë të freskëta.
Ndërkohë që, njëri nga menaxherët e një marketi në Prishtinë, në kushte anonimiteti ka thënë se shega kryesisht është një frut i cili shitet më shumë stinës së dimrit për shkak se në atë periudhë konsumohet më shumë, pasi që edhe është sezoni i saj.
Sipas tij, qytetarët e marrin shumë për konsum për shkak se i ka vlerat e saj ushqyese, mirëpo edhe për arsye të efekteve të mira të shumta shëndetësore.
Njëra nga menaxheret e një marketi në Prishtinë, po ashtu në kushte anonimiteti, tha për Buletinin Ekonomik se fruti i shegës është mjaft i qëndrueshëm nëse ruhet në ambiente të freskëta.
Siç thekson ajo, furnizimi nga depot ku ata marrin mallëra, për këtë frut është më bollëk pasi që edhe kërkesa e qytetarëve për te është e vazhdueshme.
Në anën tjetër, siç thekson ajo, herë pas here ka luhatje të çmimit të saj, pasi që në përgjithësi çmimet e pemëve dhe perimeve shpeshherë kanë zbritje.
Ndryshe, sipas medieve që trajtojnë tema shëndetësore qendrat shëndetësore prestigjioze në botë, e sidomos në SHBA e rekomandojnë shegën dhe lëngun e saj për disa sëmundje si parandalimin e sëmundjeve të zemrës, parandalimin e kancerit, veçanërisht kancerin e prostates dhe të gjirit tekfemrat dhe përuljen e kolesterolit në gjak, Shega preferohet edhe për parandalimin e mbipeshës, lufton dëmtimin e qelizave; parandalon degradimin e ADN-së qelizore etj./BuletiniEkonomik/