Importet e Kosovës nga vendet e tjera të botës, vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti shënuan një vlerë prej 414 milionë eurove. Kjo shumë është për 37.5 për qind më e lartë sesa vlera e importit në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pra shkurt 2021.
Kundrejt importit, vlera e eksporeteve të Kosovës ishte në vlera dukshëm më të ulëta, prej vetëm 65.2 milionë eurove. Gjatë kësaj periudhe, edhe deficiti tregtar i Kosovës ishte më i lartë për 38.0% në muajin shkurt 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 349.5 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 253.3 milionë eurosh sa ishte në vitin 2021, përcjell Buletini Ekonomik.
Prej vendeve të rajonit, gjëgjësisht prej të gjitha vendeve të CEFTA-s, ku përfshihen Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Moldavia, Kosova kishte importuar më së shumti mallra nga Serbia.
Kështu, në muajin shkurt të këtij viti, vetëm nga ky vend ishin importuar mallra në vlerë të 24.642 milionë eurove, apo 5.9 përqind të të gjitha importeve të Kosovës, derisa kjo vlerë e importeve në muajin shkurt të vitit të kaluar ishte 18.374 milionë euro apo 6.1 për qind e importeve.
Me këto shifra të larta të eksporteve të Serbisë në Kosovë, importet e vendit nga vendet e tjera të CEFTA-s u lanë më në hije. Kështu vendi fqinjë, Shqipëria mori pjesë në importet e Kosovës në shkurt me 18.335 milionë euro mallra, apo 4.4 për qind të importeve, kurse në shkurtine 2021, ishin importuar mallra në vlerë të 11.277 milionë eurove nga ky vend.
Ndërkohë, vendin e dytë nga vendet e CEFTA-s për importe në Kosovë, e zë Maqedonia e Veriut me vlera prej 20.507 milionë eurove, derisa në shkurt vjet ishte 15.894 milionë.
Pas Mqedonisë dhe Shqipërisë, renditen Bosnja e Hercegovina me mbi 3 milionë euro mallra të importuara, pastaj Mali i Zi me përqindje shumë të vogël, prej vetëm 0.1 për qind apo 607 mijë euro mallra.
Kurse nga vendet e Bashkimit Evropian, importet e Kosovës ishin rreth 190.4 milionë euro, ose 45.9% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 27.8%. Vendet me pjesëmarrjet më të lartë ishin: Sllovenia më mbi 51 milionë euro mallra apo 12.4%, pastaj Gjermania me rreth 45 milionë euro, si dhe Italia me mbi 16 milionë euro apo 4.0%.
Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës në këtë periudhë, arritën në 156.1 milion euro, ose 37.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia me 53.555 milionë euro apo 12.9% të importeve të përgjithshme dhe Kina me 39.426 milionë euro apo 9.5% të importeve. (M.Shabani)/Buletini Ekonomik/