Fermerët të cilët merren me prodhimin dhe përpunimin e qumështit janë në një situatë tejet të rëndë, pas shtrenjtimit të inputeve bujqësore.
Disa nga fermerët kanë filluar të shesin bagëtinë e të mbyllin fermat, në mungesë të ushqimeve të nevojshme. Kështu thonë përfaqësues të fermerëve, sipas të cilëve përkrahja financiare nga Qeveria është e domosdoshme, në të kundërtën sektori i prodhimit dhe përpunimit të qumështit rrezikon të pësojë shumë.
Pas shtrenjtimit të inputeve bujqësore dhe ushqimit të kafshëve, shumë fermerë kosovarë që merren me prodhimin e qumështit kanë filluar të shesin bagëtitë e tyre. Kështu i tha Radio Kosovës, kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, sipas të cilit gjendja është e rëndë.
“Blegtorët veç kanë filluar t’i shesin lopët, për shkak se kanë mungesë ushqimi dhe për arsye të ngritjes së çmimit të ushqimit për kafshët. Lopët po shiten në thertore. Një lopë e cila konsiderohet fabrikë e prodhimit të qumështit, të shitet dhe të theret për bujqësinë, është katastrofë e madhe”, pohon Tahiri.
Edhe kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit, Milazim Berisha, e përshkruan si të rëndë situatën në sektorin e qumështit.
“Me ngritjen e madhe të çmimeve të inputeve bujqësore, në dy-tre muajt e fundit është e pamundshme që fermerët të mbijetojnë e lëre më të kenë fitime. Për këtë arsye, në kohën e fundit kemi një numër të madh të fermave të mbyllura dhe pritet që në të ardhmen të mbyllen edhe shumë të tjera si pasojë e pamundësisë që ata të tejkalojnë problemet që kanë me koston e lartë të prodhimit”, tha ai.
Berisha thotë se kanë zhvilluar një takim në Ministrinë e Bujqësisë, për të cilën ka pasur edhe disa kërkesa, për tejkalimin e gjendjes emergjente.
“Kemi kërkuar të ndahet ndonjë fond shtesë me të cilin do të subvencionoheshin për shembull plehrat, ku kemi ngritje të çmimeve për 200-330 për qind. Pastaj, kemi kërkuar që të ndahen fonde shtesë që fermerët të kenë qasje në forma të ndryshme kreditimi, pasi momentalisht, me ngritjen e çmimeve, bujqve që iu është vështirësuar ekzistenca e kanë të pamundur kthimin e kredive.
Pas ankesave të bujqve, Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë, nëse planifikon të ndajë subvencione shtesë për sektorin e qumështit. Nga kjo ministri, nuk kanë treguar nëse do të ngritët përkrahja për sektorin e qumështit, por nëpërmjet një emaili kanë thënë se, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte/Subvencioneve për vitin 2022, do të rritet mbështetja për shumicën e kulturave bujqësore. /Radio Kosova/