Telekomi i Kosovës ka njoftuar se sot ka parashtruar kërkesë te Prokurori i Shtetit për marrjen e masave urgjente për pezullimin/ngrirjen e mjeteve në llogaritë e Dardafon.net LLC, në lartësi prej mbi 30 milionë euro dhe kthimin e këtyre mjeteve në xhirollogarinë e Telekomit, deri në vendosjen përfundimtare të drejtë dhe të ligjshme nga gjykatat e Kosovës.
“Po ashtu, Telekomi i Kosovës ka kërkuar që nëse shuma e cekur nuk figuron në xhirollogarinë e Dardafon.net LLC, Prokurori i Shtetit të përdorë mekanizmat për të përcjellur lëvizjen e parasë nga xhirollogaria e Dardafon.net LLC dhe t’i gjurmojë dhe ngrijë llogaritë, kudo që kjo shumë është transferuar”, thuhet në njoftimin për media.
Në këtë njoftim, po ashtu bëhet e ditur se Gjykata e Apelit bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e ka konfirmuar se Telekomi i Kosovës ka qenë subjekt i një procedure gjyqësore të kundërligjshme dhe me shkelje serioze procedurale dhe materiale, e cila e ka favorizuar Dardafon.net LLC në dëm të Telekomit të Kosovës.
“Përmes kësaj procedure, Telekomi i Kosovës është dëmtuar shumë rëndë financiarisht, gjë që ka ndikuar edhe në operimet ditore të kompanisë. Gjithashtu ka ndikuar negativisht në vazhdimin e projekteve vitale, për arsye se i janë tërhequr/debituar mjetet financiare përmes veprimeve të parregullta dhe kundërligjore të përmbaruesit privat dhe gjykatave të të tri niveleve”, thuhet në njoftim.
Në bazë të kalkulimeve të deritashme, Telekomi i Kosovës thekson se ka paguar miliona euro më shumë se sa shuma maksimale që Telekomi i detyrohet Dardafon-it, në bazë të vendimit të Arbitrazhit No.20990/MHM.
“E shohim të rëndësishme të sqarojmë opinionin se pikërisht për shkak të kësaj përllogaritjeje arbitrare dhe të pasaktë të borxhit, nga ana e gjykatës, është kthyer në rigjykim e tërë kjo çështje. Duke qenë se ekziston rreziku real që Dardafon.net LLC mund t’i tjetërsojë të gjitha këto mjete jashtë Republikës së Kosovës e që do të vështirësonte gjurmimin dhe kthimin e tyre në rast të një vendimi të drejtë të gjykatës, Telekomi i Kosovëska kërkuar asistencën e Prokurorit të Shtetit në ndërmarrjen e veprimeve urgjente, që mundësojnë sigurimin e mjeteve financiare deri në vendosjen përfundimtare të drejtë dhe të ligjshme nga gjykatat e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kjo kërkesë është vetëm njëra nga masat që Telekomi i Kosovës i ka ndërmarrë, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe më tutje, në mbrojtjen e biznesit të kompanisë dhe në rikthimin e ligjshmërisë.
“Telekomi i Kosovës synon të rikthehet fuqishëm në shërbim të konsumatorëve të vet dhe të qytetarëve të Kosovës, me një kulturë të re dhe me një përkushtim të lartë ndaj punës. Një sistem i drejtësisë efektiv, dinamik dhe i paanshëm është i domosdoshëm për të mbrojtur bizneset dhe qytetarët nga veprimet e paligjshme, ndërkaq Telekomi i Kosovës do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të rikthyer mjetet që i janë marrë jashtëligjshëm nga arka e shtetit apo nga fondet e dedikuara për investime strategjike, duke i kthyer ato në infrastrukturë dhe shërbime më të mira për konsumatorët dhe qytetarët”, thuhet në fund të njoftimit.